Zonat malore të vendit, veçanërisht ato në veri, do të jenë në qendër të fazës së dytë të zbatimit të ligjit “Për Paketën e Maleve”, që nis në shtator me përzgjedhjen dhe shpalljen e territoreve ku do të aplikohen lehtësitë fiskale dhe procedurale të parashikuara.
Fokusi është që bashkitë të identifikojnë zonat me potencial zhvillimi, bazuar në kërkesat e qytetarëve që kanë aplikuar gjatë fazës së parë të procesit.
Qëllimi i kësaj pakete është të krijojë kushte të favorshme për investime në zonat e thella malore dhe të nxisë zhvillimin ekonomik përmes legalizimit të pronësisë, lehtësimit të barrës fiskale dhe orientimit të planeve të territorit drejt rigjallërimit rural.
Bashkitë do të paraqesin propozimet për territoret që duan të shpallin për zhvillim malor dhe qeveria do t’u japë atyre status të posaçëm, ç`ka do të mundësojë zbatimin e të gjithë instrumenteve që përmban ligji.
Sipas Ministrisë për Pushtetin Vendor, ky proces është një mekanizëm i ri bashkëpunimi, ku njësitë vendore kanë rol vendimtar në përcaktimin e zonave me interes më të lartë për zhvillim, duke u bazuar jo vetëm në analizat e tyre, por edhe në shprehjen konkrete të interesit nga qytetarët.
Ligji parashikon se poseduesit jopronarë të pasurive të paluajtshme shtetërore në këto zona do të mund të blejnë tokën që kanë në përdorim me çmim simbolik prej 1 euro.
Pas regjistrimit të kontratës së shitjes, ata ose investitorët që lidhin marrëveshje me ta mund të aplikojnë për leje ndërtimi për zhvillimin e sipërfaqes përkatëse.
Këto veprime do të kryhen në përputhje me rregullat e ligjit të ri dhe me legjislacionin në fuqi për territorin, për aq sa nuk ka kundërshtim midis tyre.
Përfituesit e parë të kësaj pakete do të jenë 500 aplikuesit që kanë shprehur interes dhe kanë përmbushur kriteret ligjore.
Ata do të përjashtohen për 10 vjet nga tatimi mbi të ardhurat, TVSH-ja, taksa për pasuritë e paluajtshme dhe ajo për ndikimin në infrastrukturë.
Një nga kriteret kryesore për përfitim, është që prona të jetë në përdorim faktik nga aplikuesi për një periudhë të vazhdueshme dhe të jetë pjesë e një zone, që do të shpallet me vendim të Këshillit të Ministrave si “zonë malore me përparësi zhvillimi”.
Aplikuesit duhet, gjithashtu, të paraqesin një plan zhvillimi konkret, që të jetë në përputhje me qëllimet e ligjit dhe të mos cenojë mjedisin apo strukturën tradicionale të territorit. Një rast i veçantë është zona e Thethit, e cila pavarësisht ndërtimeve të fundit pa leje, do të vijojë të mbetet park kombëtar.
Zhvillimi në këtë zonë do të jetë i kontrolluar dhe i orientuar drejt trashëgimisë kulturore dhe turizmit natyror, pa devijuar nga kufizimet e statusit të mbrojtur.
Synimi është që modeli i suksesshëm i Thethit të aplikohet edhe në zona të tjera të vendit me karakteristika të ngjashme malore.
Paketa synon të kthejë në resurse ekonomike zonat e braktisura, të ndalojë fragmentimin e tokës dhe të krijojë një valë të re investimesh në agroturizëm, bujqësi, zejtari dhe shërbime, duke ofruar siguri pronësore dhe përfitime konkrete për banorët dhe investitorët.
Procesi i aplikimeve mbetet i hapur, ndërsa muaji shtator pritet të jetë vendimtar për përcaktimin e hartës së parë të zhvillimit malor në Shqipëri.
KRITERET E LIDHURA ME PRONËN
a) Të jetë pasuri shtetërore. Objekt i procedurave sipas këtij ligji janë edhe tokat në pronësi shtetërore, që janë inventarizuar në përgjegjësi administrimi të institucioneve qendrore, si dhe ato që janë transferuar në pronësi ose në përdorim te njësitë e vetëqeverisjes vendore, me kusht që sipërfaqja e pretenduar nga subjekti të mos përfshijë gjurmën e objekteve shtetërore.
b) Të mos jetë pronë publike e patjetërsueshme. Në kuptim të këtij ligji dhe të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, të ndryshuar, llojet e pasurisë “pyll”, “kullotë” “livadh” nuk janë të patjetërsueshme dhe mund t’u nënshtrohen procedurave të kalimit të pronësisë sipas këtij ligji;
c) Nuk i shërben operacionalitetit të Forcave të Armatosura, sipas legjislacionit në fuqi për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë;
ç) Të mos rëndojnë mbi të të drejta reale të të tretëve;
d) Të mos jetë objekt i procedurave të fitimit të pronësisë sipas ligjit nr.20/2020 dhe ligjeve të tjera të posaçme, që parashikojnë fitimin e pronësisë nëpërmjet procedurave administrative.
dh) Të mos jetë marrë për të vendimi i kthimit ose i kompensimit fizik ish-pronarëve, sipas legjislacionit përkatës.
Ligji ka për objekt përcaktimin e procedurave dhe të rregullave të posaçme për:
a) shpalljen e zonave malore me përparësi zhvillimi;
b) zhvillimin e pasurive shtetërore të poseduara pa titull pronësie nga subjektet private në këto zona, në harmoni me rregullat e legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit;
c) kalimin e pronësisë përmes shitjes me tarifën simbolike 1 (një) euro të këtyre pasurive të paluajtshme shtetërore, të cilat rezultojnë të jenë në posedim faktik të poseduesve jopronarë.