Pak minuta seancë mes tensionesh, Kuvendi miraton programin e qeverisë “Rama 4” pa diskutime

Këtë të enjte, mazhoranca në Kuvend miratoi programin qeverisës dhe përbërjen e re të kabinetit të propozuar nga Kryeministri Edi Rama, me 82 vota pro.

Seanca plenare u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, pasi opozita bllokoi foltoren, duke penguar zhvillimin e debateve parlamentare.

Përballë mungesës së mundësisë për diskutim, shumica kaloi në mënyrë të drejtpërdrejtë në votim, duke garantuar me votat e saj miratimin e programit dhe emërimet e reja në qeveri.

Deputetët e opozitës protestuan përmes thirrjeve kundër qeverisë.

Miratimi i kabinetit të ri vjen në një moment, ku tensionet mes mazhorancës dhe opozitës janë rritur ndjeshëm, veçanërisht në lidhje me rolin e anëtares më të re të kabinetit, Diella, dhe projektin e saj për zhvillimin e inteligjencës artificiale në institucionet shtetërore.


Shtuar 18.09.2025 10:46