Teksa na ndajnë vetëm tri ditë nga protesta e paralajmëruar e opozitës të hënën më 22 dhjetor, kryetari i PD, Sali Berisha, ka vendosur të largojë Ervin Salianjin nga posti i drejtuesit politik në Njësinë 6 në Tiranë, ose ndryshe zona e Kombinatit.
Vendimi vjen në një moment ku strukturat janë në fazë mobilizimi për protestën e radhës kundër qeverisë, ndërsa mes lidershipit të PD dhe Salianjit ka pasur përplasje lidhur me takimet që ky i fundit po zhvillon me strukturat në çdo qytet të vendit.
Kujtojmë se Salianji në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Partisë Demokratike, pati debate me Flamur Nokën, kreun e PD-së Berisha dhe kreun e PD-së në Elbasan dhe deputetin, Blendi Himçi, në lidhje me takimet që ai po zhvillon me strukturat e partisë në çdo qytet.
Salianji u kritikua në mbledhjen e Kryesisë nga Noka, se po bën një lëvizje brenda PD-së që i shërben Edi Ramës. Ndërsa Salianji mohoi akzuat, duke thënë se në parti duhet lejuar mendimi ndryshe dhe se nuk duhet të jetë ai shënjestra e mbledhjes.
“Mendova që sot duhet të flisnim vetëm për skandalin Rama–Balluku. Sot, me këtë, po zhvendosni vëmendjen. Problemi qenka shqetësimi që kanë demokratët dhe jo vjedhjet e qeverisë. Unë erdha t’i bëjmë gjyqin qeverisë, por nëse doni për demokratët, ja e bëjmë. Do më keni me cel në dorë për të denoncuar këdo që bashkëpunon me qeverinë”, tha ish-deputeti në Kryesi.
Salianji bëri dhe sfidë establishmentit udhëheqës në PD, nëse mund të mbledhin më shumë demokratë në takime se ai.
“Nëse në takime private mblidhni aq shumë njerëz, vetëm mirë i bëni PD-së. Të dalë secili të mbledhë aq njerëz në çdo zonë dhe ne i mbushim sheshet.”
