Pagat kalojnë nivelet e parakrizës në bizneset e teknologjisë dhe hotelerisë

Bizneset që janë lidhura me programimin e kompjuterëve, metalurgjisë dhe materialeve elektrike, hoteleve, informacionit dhe komunikimit panë rritje të lartë në krahasim me periudhën para pandemike në tremujorin e dytë 2021.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se, bizneset e programimit rritën mesatarisht fondin e pagave me 134 % në tremujorin e dytë të vitit 2021 në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Grupi i bizneseve ku përfshihen metalurgjia, prodhimi i materialeve elektrike; prodhimi i produkteve elektronike, elektrike dhe kompjuterike; prodhimi i makinerive dhe mjeteve të transportit rriten fondin e pagave mesatarisht me 71% në raport me vitin 2019.

Rritja ishte e fortë veçanërisht për biznesin e hotelerisë, në të cilat fondi i pagave ishte 42% më i lartë se periudhën e para krizës (tremujori i dytë 2019). Biznesi i hotelerisë është përfshirë në zhvillime të vrullshme vitet e fundit për shkak të zhvillime pozitive në turizëm. Këto biznese ishin më të dëmtuarat gjatë krizës pandemike sidomos në vitin 2020. Por rikthimi drejt normalitetit nga njëra anë dhe mungesa e krahut të punës nga ana tjetër ka çuar drejt rritjes të pagave në këto biznese.

Bizneset e lidhura me informacionin dhe komunikimin kishin gjithashtu rritje të lartë të fondit të pagave me rreth 35 për qind në krahasim me nivelet e para krizës (2019).

Rritje me ritme dyshifrore u vu re edhe në sektorin e energjisë dhe ujit (+30%), Tregtisë me shumicë (+23), Tregtia me pakicë (+18%), Aktivitete postare (+18%), aktivitete inxhinierike ((+15%), Ndërtimi (+10%), etj,. (shih grafikun bashkëngjitur).

Në të kundërt indeksi i pagave në disa sektorë që u dëmtuan rëndë nga pandemia vijuan të ishin më rënie në raport me periudhën e parakrizës.

Rënien më të madhe e shënoi indeksi i pagës në bizneset e bareve dhe restoranteve, i cili ishte 54 për qind më i ulët se, në të njëjtën periudhe të vitit 2019.

Agjencitë e udhëtimit ishin të dytat për rënien më të madhe të indeksit me rreth 42 % për të njëjtat periudha krahasimore.

Grupi i bizneseve në aktivitetet “Prodhimi i drurit dhe produkteve prej druri dhe dushku” ishte i treti për rënien më të madhe të indeksit të pagave me- 29%, i ndjekur nga industria nxjerrëse me -20%, industria e lëkurë këpucëve me -17.5%.

Gjithashtu indeksi i pagave ishte 9.2 % më i ulët në transportin ajror, krahasuar me nivelin e parakrizës, në sektorin e telekomunikacionit me -5.9% dhe në transportin ajror me -5.9%.
Pandemia e Covid -19 i ndikoi negativisht bizneset e lidhura me udhëtimet dhe argëtimin të tilla si baret, restorantet dhe transportin, teksa aktivitete të tjera që kishin në themel ofrimin e mallrave dhe shërbimeve në distance shënuan rritje.

Programuesit dhe profesionet e lidhura me teknologjinë dhe komunikimin ishin më të kërkuarit gjatë pandemisë dhe për rrjedhojë patën edhe rritje më të lartë të pagave në raport me sektorët e tjerë./B.Hoxha-Monitor


Shtuar 30.09.2021 08:17