Paga minimale 300 euro në Maqedoninë e Veriut, zgjidhje apo problem i ri në mes të krizës?

Sindikatat dhe punëdhënësit janë në kontest, Qeveria po bën taktika rreth kërkesës për rritje administrative të pagës minimale. Ekspertët paralajmërojnë që mos të merren vendime të nxituara dhe zgjidhje të imponuara, raporton DW, përcjell Portalb.mk.

Nëse gjithçka shkon sipas planit të qeverisë, paga minimale nga 15 mijë do të rritet në 18 mijë denarë.

Fillimi i Vitit të Ri po e intensifikon presionin për të përcaktuar me ligj shumën e pagës minimale. Sindikatat këmbëngulin që ligji të parashikojë që paga minimale në Maqedoninë e Veriut të mos jetë më e vogël se 60% e pagës mesatare dhe kërkojnë prej deputetëve që në janar të miratojnë ndryshimet ligjore me të cilat praktikisht paga minimale nga 15 mijë do të rritej në 18 000 denarë.

“Pritshmëritë tona janë që deputetët, të cilët marrin pagë 4 deri në 5 herë më të lartë se paga minimale, të ulen në menjëherë bankat e deputetëve që të mbështesin dhe propozojnë ligjin për ta rritur pagën minimale në 18 mijë denarë, që nënkupton rritje edhe të pagave të tjera, si dhe presim që hapi i parë i Qeverisë së re të jetë pikërisht ky, me çka që do të tregojë se kujdeset për punëtorët. Presim që në mbledhjen në Qeveri, e cila do të mbahet më 20 janar, ky problem të tejkalohet, në të kundërtën punëtorët do të vazhdojnë aktivitetet e nisura në protestën e datës 12.12.2021 së bashku me bordet e grevës për organizim të grevës së përgjithshme”, thonë për Dojçe Vele përfaqësues të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.

Sindikatat presin paga minimale të jetë në krye të agjendës së qeverisë në janar

Të përballet goditja e çmimeve

Sindikatat kërkojnë veprime të menjëhershme për t’i bërë ballë goditjes së çmimeve që i solli kriza energjetike:

“Vlera e shportës minimale sindikale po rritet vazhdimisht, çmimet e produkteve bazë gjithashtu po rriten me ritme të përshpejtuara, kështu që me insistimin e LSM-së janë kufizuar deri në fund të këtij muaji, çmimi i energjisë elektrike u rrit për 9,5% dhe i ngrohjes për 14%. Prandaj ka nevojë për rritje urgjente të pagës minimale qysh në janar. “Nëse nuk rritet, në shkurt, kur do të duhet të paguhen faturat që janë rritur në mënyrë drastike, punëtorët nuk do të mund të ushqejnë familjet e tyre dhe as të paguajnë çmimet edhe ashtu të rritura”, reagojnë nga Lidhja e Sindikatave.

Plan për pagë minimale prej 20 000 denarë

Qeveria planifikon të rrisë pagën minimale këtë vit, por nuk tregon se kur do të ndodhë kjo saktësisht. Ideja është që minimumi të rritet në 18 mijë denarë, kurse deri në fund të mandatit të arrijë në 20 mijë denarë:

“Duke marrë parasysh situatën ekonomike, në të cilën ndodhen të gjithë qytetarët dhe qytetaret, që u shkaktua nga kriza globale shëndetësore dhe energjetike, rritja e pagës minimale është më se e nevojshme dhe duhet të jetë, veçanërisht nëse dihet se rritje të tilla shkaktojnë një rritje spirale të të gjitha pagave si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik. Prandaj Qeveria po udhëheq dhe do të intensifikojë dialogun me përfaqësuesit e punëtorëve dhe punëdhënësve si dhe me odat ekonomike dhe jemi të bindur se do të gjendet zgjidhje për rritjen e pagës minimale e cila do të jetë e kënaqshme për të gjithë. Qëllimi i qeverisë është të vlerësohet puna, të ketë punë të paguara mirë, të çrrënjoset varfëria dhe bashkimin e punëtorëve, qytetarët tanë në vend, sepse ata janë kapaciteti i cili siguron rritjen e prodhimit te punëdhënësit”, tha nga Qeveria për Dojçe Vele.

Rritje e pagës minimale, por kur? Qeveria nuk është e prerë

Punëdhënësit ankohen

Sindikata këmbëngul, Qeveria premton, por biznesmenët kundërshtojnë. Odat ekonomike dhe shoqatat e biznesit tashmë kanë paralajmëruar se janë kundër çdo zgjidhjeje të imponuar. Ata reagojnë se çdo rritje artificiale dhe e pakoordinuar, siç paralajmërohet, vetëm sa do të çrregullojë ekuilibrin në ekonomi.

“Paga minimale mund të jetë edhe 30 mijë denarë nëse bazohet në rritje të produktivitetit, e jo me dekret të qeverisë që është kundër çdo logjike të tregut dhe afarizmit.

“Ne nuk jemi pro zgjidhjeve artificiale-hibride, le ta lamë që tregu i punës vetë të përcaktojë pagën reale. Gjithçka që imponohet do të shkaktojë kundërindikacione në disa fusha të tjera, duke e reduktuar ndoshta numrin e punëtorëve”, kanë reaguar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriore dhe Lidhja e Odave Ekonomike, dy shoqatat më të mëdha të biznesit në vend.

Produktivitet më i madh

Biznesmenët nuk janë kundër rritjes së pagave, por paralajmërojnë se pagat duhet të rriten paralelisht me produktivitetin.

Zgjidhje të tilla të imponuara nuk janë të mira dhe nuk do të sjellin asgjë më konkrete. Ne jemi të gatshëm të paguajmë shumë më tepër, ndërsa në pjesën më të madhe e paguajmë. Por është e realizueshme dhe e durueshme nëse kemi produktivitet dhe staf të trajnuar siç duhet. Por realiteti është ndryshe. Prandaj duhen hapa më të kujdesshëm dhe strategji më serioze. Sepse askush nuk e sheh se sa para investohen dhe shpenzohen për trajnimin dhe rikualifikimin e stafit”, komentoi për Dojçe Vele drejtori i një prej kompanive gjermane që ka një fabrikë në Maqedoninë e Veriut.

Popullizëm me krahun e punës

Ekspertët nuk kanë dyshime se pagat duhet të rriten, por dilemat janë se sa do të mund kompanitë ta zgjidhin qesen në mes të krizës. Aq më tepër nëse kjo imponohet me zgjidhje ligjore. Ndaj sugjerojnë që pagat të mos rriten administrativisht, por të kërkohen zgjidhje të bazuara në logjikën ekonomike.

“Punëdhënësit nuk mund të vazhdojnë me këtë ritëm dhe jemi dëshmitarë që po e shprehin publikisht pakënaqësinë e tyre. Paga minimale duhet të rritet, por në bazë të rritjes ekonomike dhe duhet të ndiqet nga të gjitha pagat e tjera në të gjithë sektorët, veçanërisht në sektorin publik. Shteti duhet të jep shembull në sektorin publik, në përputhje me Ligjin për pagën minimale dhe në përputhje me marrëveshjet kolektive të nënshkruara në sektorin publik, që pagat të rriten dhe të harmonizohen me rritjen e pagës minimale më së voni brenda gjashtë muajve. Por kjo nuk ndodh prej vitesh. “Si shoqëri, duhet të përpiqemi që paga minimale të rritet, por të rriten edhe të gjitha pagat e tjera në nivelet e tjera të punonjësve”, tha profesori universitar Lazar Jovevski për Dojçe Vele.

Nëse kjo nuk korrigjohet, sipas Joveskit, vetëm do të krijojë pakënaqësi shtesë te punëtorët, e cila do të ndikojë edhe në produktivitetin:

“Rritja administrative e pagës minimale do të çojë në situatë kur dikush që ka marrë 17 apo 18 mijë denarë do të marrë pagë të njëjtë me atë që deri dje ishte, siç thuhet, me pagë minimale. Nëse rroga e tyre nuk rritet, atëherë tek disa punonjës do të fillojë pakënaqësia. Kjo do të thotë se do të jemi dëshmitarë të një lloj popullizmi për krahun e punës. Do të ketë problem në produktivitet dhe pakënaqësi të madhe”, thekson Jovevski.

Ata nuk shohin arsye për probleme nga Federata e Sindikatave. Analizat dhe studimet e tyre kanë treguar se nuk do të ketë efekte negative:

“Për të treguar se nuk ka efekte negative nga rritja e pagës minimale, Federata e Sindikatave të Maqedonisë së bashku me profesorë të njohur kanë përgatitur një studim për pagën minimale dhe efektet e saj. Rezultatet e atij studimi tregojnë se rritja e pagës minimale nuk ka efekt negativ në funksionimin e kompanive. Punonjësit nuk pushohen nga puna, nuk ulet profitabiliteti i kompanive, nuk ka asnjë efekt tjetër negativ. Efekti i vetëm është që kur rritet paga minimale, kompanitë bëhen më produktive”, thonë nga Sindikata.

E Diela ditë jo pune

Kërkesa për rritjen e pagës minimale me ligj, gjegjësisht përcaktimin e masës 60% të pagës mesatare është aktuale nga nëntori i vitit 2021. Më 12 dhjetor, sindikatat e mbajtën një protestë paralajmëruese, duke njoftuar se do të pasonte radikalizimi nëse nuk do gjendet zgjidhje e kërkesave të tyre pas Vitit të Ri. Një prej tyre ishte edhe shpallja e ditës së diel, si ditë jopune, që hyri në fuqi pavarësisht reagimeve të biznesmenëve që ishin kundër këtij vendimi. Për të shmangur goditjet e reja, ekspertët e mirinformuar paralajmërojnë se zgjidhja përfundimtare për pagën minimale duhet të vijë nëpërmjet dialogut ekonomik dhe social, ku do të përfshihen sindikatat, punëdhënësit dhe qeveria.

Rritja e pagës minimale ndër vite

Paga minimale në Maqedoninë e Veriut për herë të parë është vendosur në vitin 2012 në nivelin prej 8.050 denarë. Me kalimin e viteve është korrigjuar minimalisht, ndërsa kërcimi më i madh ka qenë në vitin 2019 kur është rritur nga 12.500 në 14.500 denarë. Aktualisht paga minimale është 15.194 denarë neto, ose 22.164 denarë bruto./Portalb.mk


Shtuar 7.01.2022 20:43