“Pa reformën në drejtësi, nuk bëhesh anëtar i BE”, Rama: Kulmin e ka arritur lufta kundër korrupsionit, jo korrupsioni

Kryeministri Edi Rama deklaroi se pa reformën në drejtësi, nuk mund bëhesh anëtar i Bashkimit Europian. Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste në Vlorë, Rama foli edhe për luftën kundër korrupsionit.

Në lidhje me këtë, kryeministri tha se kulmin e ka arritur lufta kundër korrupsionit, jo korrupsioni. Sipas tij nuk mund të flitet për një rritje të korrupsionit, kur në të nëjtën kohë janë rritur edhe paga. Ai tha se në Shqipëri, pagat në sektorin privat rriten rregullisht dhe në sektorin publike, mesatarja ka shkuar në 1000 euro.

“Pa reformën në drejtësi, nuk bëhesh anëtar i BE. Reforma në drejtësi dhe drejtësinë e pavarur, e duam këtu, për shqiptarët. Edhe siguria ushqimore, është sfidë e madhe. Na duhet për këtu. Procesi është bekim për ne, ta kemi BE si udhërrëfyes për të gjitha reformat, është proces shtetbërës. Shtetbërja është dobia e shqiptarëve këtu. Ekonomia më e mirë, institucione më të mira, është rezultat i procesit që bëjnë ata, por është edhe e mira e Shqipërisë. E gjithë kjo rrëmujë, që njeriu percepton kur hap ato pasqyrat, nuk duhet lejuar të influencojë asnjë nga mbështetësit tanë. Ne nuk e tradhtojmë dhe nuk e kemi tradhtuar atë votë. Nuk e kemi marrë atë votë për të kthyer mbrapsht reformën në drejtësi, pa vullnetin tonë nuk pavarësohet drejtësia. Shpata e drejtësisë ishte në zyrën time, që nga 1912, dhe ia dorëzuam një pushteti tjetër.

Ne duhet t’i diskutojmë këto gjëra mes nesh, t’ia themi njëri-tjetrit e më pas në komunitet, që sot në Shqipëri, pagat në sektorin privat rriten rregullisht dhe në sektorin publike, mesatarja ka shkuar në 1000 euro, por kemi edhe indeksimin e pagës për mësuesit, policët, kemi edhe vjetërsinë në punë. Këto gjëra i dinim, por si bënim dot se nuk na lejonte ekonomia. Në çdo aspekt, kemi shumë gjëra që janë në favorin tonë. Këta flasin korrupsioni, korrupsioni dhe paturpësisht, që korrupsioni ka arritur kulmin. Kulmin e ka arritur lufta kundër korrupsionit. Sot, e kemi patjetër problem korrupsionit, por kemi luftë kundër korrupsionit. Kemi bërë një sërë reformash. Nuk shkojnë bashkë rritja e pagave me korrupsionin. Nuk ndodh”, theksoi ai.


Shtuar 13.04.2026 17:51