Sistemi i kujdesit shëndetësor në Gazë është duke u shembur. Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se një e treta e spitaleve dhe gati dy të tretat e klinikave të kujdesit parësor atje, tashmë janë mbyllur, për shkak të dëmeve nga lufta ose mungesës së karburanteve.
Pas sulmeve të militantëve të Hamasit më 7 tetor, Izraeli ka mbyllur dy pikat e tij kufitare me Gazën dhe e ka vendosur atë nën rrethim të plotë, duke i bllokuar furnizimet me karburante, energji elektrike dhe ujë.
Kjo i ka detyruar spitalet në të gjithë Gazën, e cila varet nga Izraeli për rreth dy të tretat e energjisë elektrike, të mbështeten në rezervat e tyre me karburante.
Ministrja palestineze e Shëndetësisë, Mai al-Kaila, ka bërë thirrje për presion të shtuar mbi Izraelin për të lejuar hyrjen e karburanteve, barnave, ushqimit dhe ujit të pijshëm në Gazë. Në të kundërtën, ka thënë ajo, mijëra pacientë janë në rrezik të vdesin.
“Mjekët në shumë spitale në Rripin e Gazës duhet të kryejnë operacione urgjente në korridore, duke përdorur dritën e celularëve të tyre. Ky është skenari më i keq i mundshëm për punonjësit mjekësorë”, ka thënë al-Kaila.
Izraeli i ka bllokuar dërgesat e reja të karburanteve në Gazë, duke thënë se ato mund të vidhen dhe shfrytëzohen nga Hamasi për qëllime ushtarake. Ai, po ashtu, e ka akuzuar Hamasin se ka grumbulluar qindra mijëra litra naftë dhe se refuzon t’i ndajë ato.
Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje të dyja palëve për armëpushim të menjëhershëm, që do të mundësonte dërgimin e sigurt të furnizimeve shëndetësore dhe të tjera në spitale, ku çdo ditë trajtohet numër i madh i të plagosurve nga sulmet izraelite.
Në fillim të kësaj jave, OBSH-ja ka thënë se ka dërguar disa barna dhe furnizime të tjera në katër spitale në Gazën jugore, por se nevojat janë shumë më të mëdha. Spitalet e mbështetura prej saj, po i përdorin gjeneratorët minimalisht – vetëm për operacionet që shpëtojnë jetë, ka thënë agjencia e OKB-së.
Me gjithë përpjekjet, Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të bjerë në kontakt me ndonjë mjek apo punonjës tjetër spitalor në Gazë, për të marrë informacione nga dora e parë. Por, REL-i ka biseduar me neurologun pediatrik, Omar Abdel-Mannan, nga Kolegji Universitar i Londrës, i cili është bashkëthemelues i grupit “Gaza Medic Voices”, apo “Zërat e Mjekëve të Gazës”.
Ky grup ka profile në të gjitha rrjetet sociale, ku publikon dëshmitë e mjekëve dhe infermierëve nga spitalet e Gazës.
“Kemi marrë shumë mesazhe me tekst, mesazhe me zë dhe fotografi nga mjekët dhe infermierët në Gazë. Kemi dashur t’iu mundësojmë që t’i tregojnë rrëfimet e tyre. Kemi ndjerë se është e rëndësishme që bota ta dëgjojë atë që ata shohin”, thotë Abdel-Mannan.
Ai është pjesë e një grupi më të madh, i njohur si Nisma e Mësimdhënies e Oksfordit, dhe ka vizituar Gazën çdo vit nga viti 2011.
Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, ai sjell dëshmitë e disa mjekëve që ka marrë nga vendi në luftë:
“Kemi parë video dhe kemi marrë fotografi dhe mesazhe se si funksionojnë duke përdorur dritat e telefonave celularë, për t’i ndriçuar pacientët ose mjekët, kur ata janë duke punuar. Atyre po u mbarojnë furnizimet bazë, si antibiotikët, qeset me kripë, produktet e gjakut, të cilat janë të vështira për t’u gjetur edhe në kohë më normale”.
“Por, në kohë lufte, këto janë gjëra thelbësore që ju nevojiten për të shpëtuar pacientët. Në disa spitale, këto kanë mbaruar gati plotësisht. Rezervat private janë zbrazur gjithashtu. Të gjitha rezervat private të furnizimeve me barna i kanë çuar në spitalet kryesore dhe nuk ka mbetur asgjë. Ndihma ka shumë pak”, thotë Abdel-Mannan.
Ai thotë se disa kolegë të tij në Gazë, që edhe vetë kanë humbur familjarë në luftë, janë të detyruar të punojnë nga 24 orë. Sipas dëshmive që përmend, ka raste kur bëjnë operacione pa anestezi dhe përdorin uthull në vend të antiseptikëve. Përveç kësaj, shpesh gjenden edhe para zgjedhjes: cilin pacient ta shpëtojnë e cilin ta lënë të vdesë?!
“Një mjeke më ka thënë se nuk ka pasur shtretër në njësinë e kujdesit intensiv në spital. Jashtë ka pasur bombardime të vazhdueshme dhe transferimi i ndonjë pacienti nga kujdesi i saj intensiv në një kujdes tjetër intensiv, nuk ka qenë i sigurt. Ajo ka pasur vetëm një shtrat të lirë, ndërkohë që i kanë shkuar dy pacientë – të dy fëmijë, të dy të moshës së fëmijëve të saj”.
“Njëri ka pasur dëmtime të rënda në kokë, që ka mundur ndoshta t’iu mbijetonte nëse do të kishte burime të mjaftueshme. Tjetri ka pasur një dëmtim në gjoks që ka qenë padyshim i trajtueshëm. Ajo është dashur të vendosë se cilin do ta shpëtojë dhe cilin do ta lërë pas. Fëmijën me dëmtime në kokë e ka lënë dhe ka shpëtuar tjetrin”, thotë Abdel-Mannan.
Ekspertë të çështjeve juridike thonë se me ligjet e luftës, mbrojtja e civilëve duhet të trajtohet me prioritet, e në këtë aspekt edhe kujdesi shëndetësor. Por, ky nuk është rasti në Gazë, thotë për Exposenë Leonard Rubenstein, nga Shkolla e Shëndetit Publik Johns Hopkins Bloomberg.
“Ligjet e luftës që nga mesi i shekullit 19 e kanë trajtuar si çështje kryesore mbrojtjen e kujdesit shëndetësor. Këto ligje kërkojnë që palët ndërluftuese të mos e sulmojnë, të mos ndërhyjnë apo të mos e pengojnë kujdesin shëndetësor. Gjithashtu, sipas tyre, duhet të merren masa të veçanta paraprake për t’u siguruar që [objektet shëndetësore] nuk dëmtohen”, thotë Rubenstein.
Një ndër shpërthimet më të fuqishme ka ndodhur pikërisht pranë spitalit Al-Ahli Arab në Gazë, mbrëmjen e 17 tetorit, duke lënë të vrarë së paku 500 njerëz. Por, dhuna kundër kujdesit shëndetësor nuk është unike për këtë konflikt.
Në Ukrainë, Rusia ka sulmuar objektet shëndetësore, ambulancat dhe punonjësit shëndetësorë më shumë se 1.000 herë në vetëm 18 muajt e parë të luftës, ka bërë të ditur organizata Mjekët për të Drejtat e Njeriut, me seli në SHBA.
Sipas organizatës Insecurity Insight me bazë në Gjenevë, në vitin 2022 kanë ndodhur gati 2.000 incidente të dhunshme, të lidhura me kujdesin shëndetësor, në konflikte në 32 vende të botës.
Dhuna ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor nuk është e re as për Gazën. Në konfliktet e viteve 2009-10, 2012 dhe 2015, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka raportuar se raketat izraelite, sulmet ajrore dhe sulmet me tanke kanë dëmtuar ose shkatërruar më shumë se 200 objekte shëndetësore dhe më shumë se 150 ambulanca. Më shumë se 30 punonjës shëndetësorë janë vrarë në detyrë, ndërsa më shumë se 175 janë plagosur.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i ka bërë thirrje si Izraelit, ashtu edhe Hamasit që t’i mbrojnë civilët në konfliktin aktual, ndërsa ka shprehur shqetësim të madh për, siç ka thënë, shkeljet e ligjit ndërkombëtar humanitar në Gazë.
“Më lejoni të jem i qartë. Asnjë palë në një konflikt të armatosur nuk është mbi ligjin ndërkombëtar humanitar”, ka thënë Guterres.
Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka shprehur solidaritet të fuqishëm me Izraelin, por ka thënë se rrjedha e ndihmës humanitare në Gazë duhet të rritet.
Në mesin e shqetësimeve se bombardimet e rënda dhe rrethimi i enklavës palestineze po krijojnë një fatkeqësi të rëndë humanitare, edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se udhëheqësit e BE-së – me gjithë mospajtimet – janë të etur për të lehtësuar qasjen në ushqime, ujë, kujdes mjekësor, karburante dhe strehim.
Profesori Rubenstein thotë se presioni i huaj do të mund të shpëtonte jetë në Gazë.
“Kemi parë shumë shkelje – duhet të ketë presion mbi palët që t’i ndalojnë ato. Lufta është mjaftueshëm e keqe. Ndikimet e luftës janë të tmerrshme. Shumë dëmtime do të mund të shmangeshin. Ligji kërkon që palët t’i lejojnë ndihmat humanitare të hyjnë në një zonë lufte. Dhe, ne kemi parë që Izraeli i ka ndërprerë ato, jo vetëm ndihmat humanitare, por edhe gjërat thelbësore, ushqimet, rrymën, karburantet. Pra, duhet të ketë presion të bashkërenduar për të siguruar respektimin e ligjit”, thotë Rubenstein.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë, e drejtuar nga Hamasi, thotë se mbi 8.000 njerëz janë vrarë që nga 7 tetori, kur Izraeli ka nisur bombardimin e territorit. Sipas burimit të njëjtë, këtë javë kanë qenë dy ditë radhazi me nga mbi 700 njerëz të vrarë.
Ushtria izraelite thotë se ka në shënjestër luftëtarët e Hamasit dhe infrastrukturën e tij.
Në Izrael, nga sulmet e Hamasit janë vrarë mbi 1.400 veta, sipas Forcave të Mbrojtjes atje. Hamasi vazhdon t’i mbajë, po ashtu, mbi 200 pengje izraelite./REL