OVL e UÇK-së mban nesër konferencë në Tiranë, nënkryetari: Nuk mund të tregojmë arsyen

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nesër do të mbajë konferencë për media në Tiranë. Ndonëse nuk është bërë e ditur arsyeja e kësaj konference, në njoftim është bërë i ditur vetëm lokacioni dhe ora.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së fton në një konferencë për media, që do të mbahet nesër më 29 shtator në ora 12:00, në hapësirat e Hotel “Tirana” në Tiranë”, thuhet në njoftim.

Telegrafi ka kontaktuar me nënkryetarin e OVL e UÇK-së, Gazmend Syla për të kuptuar më shumë rreth kësaj konference, mirëpo i njëjti nuk ka dhënë detaje.

“Më vjen keq por nuk mund të tregoi arsyen, si kryesi kemi vendosur që deri nesër në konferencë të mos japim më shumë informacione”, ka thënë Syla.
Kjo konferencë vjen në një kohë ku në Hagë është duke u zhvilluar procesi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ku aktualisht mbrojtja është duke paraqitur dëshmitarët e saj. Deri më tani dëshminë e tyre e kanë dhënë tre dëshmitarë, James Rubin, Paul Williams dhe John Stewart Duncan.

Mbrëmë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në KlanKosova tha se nuk ka vullnet në Kosovë për të dalë me një rezolutë të Parlamentit të Kosovës, një rezolutë që tha se Shqipëria do t’i bashkohej menjëherë ndaj Gjykatës Speciale.

“Nuk ka vullnet në Kosovë për të dalë me një rezolutë të Parlamentit të Kosovës, një rezolutë përtej partive politike të cilës ne do t’i bashkoheshim menjëherë ndaj Gjykatës Speciale dhe ndaj gjithë kësaj farse sepse ka shumë farsë në këtë mes”, tha Rama.


Shtuar 28.09.2025 19:47

Tags: ,