Osmani takohet me Cameron, ҫfarë u diskutua

Ditën e sotme, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Sekretarin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron.

Sipas një njoftimi të presidencës, në takim është diskutuar për raportet mes dy vendeve.

Gjithashtu, në takim raportohet se Osmani ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Në takim u diskutua edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë, me atë rast Presidentja Osmani e informoi sekretarin Cameron edhe për përpjekjet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, përfshirë aktin e agresionit dhe aktin terrorist kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Osmani ka folur edhe për grupet terroriste të mbështetura nga Beograd.

“Në këtë drejtim, Presidentja foli edhe për grupet terroriste, të mbështetura nga Beogradi, të cilat vazhdojnë të krijojnë frikë dhe intimidim brenda komunitetit serb. Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani theksoi se Kosova është shembull në rajon sa i përket të drejtave të komunitetit joshumicë, ndërsa riafirmoi përkushtimin e plotë të Kosovës për ta fuqizuar çdo qytetar, pa dallim”, thuhet në njoftimin e presidencës.


Shtuar 4.01.2024 13:01