Nuk ka detaje nga takimi dyditor i ministrave të jashtëm të Maqedonisë dhe Bullgarisë.
“Mendoj se këto bisedime kanë krijuar parakushte për intensifikim në ditët në vijim, në mënyrë që, shpresoj, të gjendet ndonjë zgjidhje. Ka pasur progres të mirë në prezantimin e qëndrimeve të të dyja palëve. Shpresoj që në ditët në vijim ky komunikim të vazhdojë në format tjetër në mënyrë që ato mendime të formësohen në propozime konkrete që duhet të jenë bazë për zgjidhje”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i jashtëm i RMV-së.
Në intervistë për BTV, ministrja e jashtme bullgare Teodora Gençovska tha se nuk ka “zjarr” në marrëdhëniet midis dy vendeve.
“Aktualisht marrëdhëniet mes dy vendeve janë normale, konstruktive dhe po zhvillohet një dialog normal pune. Të dy ekipet punojnë shumë, për shumë orë, ne vazhdojmë të gjejmë zgjidhje për çështjet e hapura në zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë”, tha Teodora Gençovska- ministre e punëve të jashtme e Bullgarisë.
Gençovska dje pati takim me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Sipas njoftimi nga partia, Mickoski ka theksuar se VMRO-DPMNE nuk do të pranojë marrëveshje që është rezultat i negociatave në të cilat nuk merr pjesë partia më e madhe politike VMRO-DPMNE dhe negociata që janë në dëm të popullit maqedonas dhe identitetit të tij. /Alsat.mk