Misioni i OSBE/ODIHR, ka publikuar raporton final për zgjedhjet e 11 majit në vendin tonë, ku ndër të tjera theksohet se u zhvilluan në një ambient politik shumë të polarizuar, ku kandidatët nuk gëzuan një terren të barabartë.
Në raport thuhet se edhe pse kandidatët patën mundësi të bëjnë fushatë lirshëm, disa prej tyre u përballën me intimidime.
Një nga problemet më të theksuara mbetet përdorimi i gjerë i burimeve administrative nga partia në pushtet gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë.
Gjithashtu, raportohet për presione mbi votuesit, sidomos ndaj punonjësve të administratës publike.
Ligji zgjedhor dhe interpretimi i ngushtë i tij nga autoritetet, nuk kanë qenë të mjaftueshëm për të parandaluar praktikat abuzive.
Mekanizmi i ri i koordinimit mes institucioneve për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve zgjedhore u cilësua si një hap pozitiv, por duhet një angazhim më i madh për të adresuar shqetësimet e vazhdueshme për keqpërdorime zgjedhore.