Orientimi drejt arsimit profesional, Rama: Duhet të hapim një rrugë të re

Arsimi Profesional dhe tërheqja e të rinjve në përzgjedhjen e tij, si një rrugë alternative e sigurt për ta, për t’u integruar në tregun e punës, vijon të mbetet një nga objektivat e qeverisë në fushën e arsimit. Një prej hapave të ndërmarra në këtë drejtim është që brenda muajit dhjetor, nxënësit e viteve të para të gjimnazeve, mund të transferohen lehtësisht në shkollat e arsimit profesional, nëpërmjet e-Albania.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në takimin e organizuar me drejtues të shkollave të arsimit profesional, drejtues rajonal të sistemit parauniversitar dhe drejtues të zyrave arsimore, i cili mbahet në vijim të takimeve të zhvilluara me gjimnazet, me shkollat e mesme profesionale, me biznese, prindër e nxënës në kuadër të promovimit të arsimit profesional,

Rama: Nuk është fjala për një reformë të thjeshtë, është fjala për një reformë të ndërlikuar, por është fjala, njëkohësisht, për një reformë që është jetike në kuptimin më të plotë të fjalës për ekonominë tonë dhe për zhvillimin tonë social. Është shumë e qartë që arsyet për të cilat arsimi profesional vazhdon të mos jetë në lartësinë e duhur të vëmendjes së prindërve dhe të nxënësve janë më shumë sesa një, por nga ana tjetër është po kaq e qartë që në këtë fazë të zhvillimit të vendit, ne duhet të bëjmë një sforco të përbashkët për të kapërcyer pengesat që ngrihen ose që janë ngritur gjatë gjithë rrugës për shkak të arsyeve.

Kryeministri tha se kushtet janë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme  dhe theksoi se duhet zgjeruar më tepër infrastruktura e arsimit profesional.

Rama: Nëse sot ne kemi rreth 4000 vende të lira në sistemin e arsimit profesional, pra, potencial për thithur 4000 nxënës, ne duhet të thithim 4000 nxënës. Pastaj, nevojat janë për shumë më tepër ama nuk mund t’ju themi juve që “Shtyni shumë më tepër” sepse do na duhet që të kemi infrastrukturën për të pranuar shumë më tepër. Me infrastrukturën ekzistuese, ne kemi 4000 mundësi aty për nxënësit e shkollave 9 vjeçare dhe të përgjithshme.

Rama tha se qëllimi është që studentëve të cilët zgjedhin të ndjekin arsimin profesional t’i jepet një mundësi në jetë, për t’i dhënë një zanat dhe për t’iu hapur një perspektivë.

Rama: Duhet të bëhet një shkëputje nga rruga rutinë që është ndjekur deri tani dhe duhet hapur një rrugë e re. Për të gjithë këtë duhet një mobilizim i të gjithë trupës dhe prandaj duhet strukturuar sa më mirë që të ecim shumë shpejt dhe objektivin ne duhet ta realizojmë me çdo mjet dhe nuk mund të presim 4 vjet apo nuk e di sesa dhe të ecim me hapin e breshkës sepse në ndërkohë tregu i punës është në atë kufirin e lëngimit.


Shtuar 24.11.2023 11:28