Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut bojkoton Parlamentin, ja çfarë bëhet shkak

Partitë shqiptare të opozitës në Maqedoninë e Veriut, që përbëjnë koalicionin Lëvizja Evropiane për Ndryshim (LEN) njoftojnë se nga e premtja do ta bojkotojnë punën e parlamentit për shkak të bllokimit të një vendi në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), i cili duhet t’i takojë këtij koalicioni, sipas LEN-it. Opozita shqiptare akuzon Bashkimin Demokratik për Integrim për “uzurpimin e KSHZ-së” dhe anashkalimin e Kodit Zgjedhor.

Bashkërenduesja e grupit të deputetëve të LEN, Safije Sadiki tha në një konferencë shtypi se kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi “po shpik pengesa” ndaj opozitës që të mos përfaqësohet në këtë organ zgjedhor.

“Grupi parlamentar i Lidhjes Europiane për Ndryshim nuk do të marrë pjesë në punën e Kuvendit, gjithnjë derisa kandidati ynë për KSHZ, Abdush Demiri, nuk do të vihet në rend dite në seancë plenare. Ky është vetëm hapi i parë. Ne presim që edhe opozita maqedonase t’i mbetet besnike deklarimit se do ta braktisë KSHZ-në nëse opozita shqiptare nuk e merr anëtarin e saj në këtë komision”, tha ligjvënësja Sadiki, e cila thekson më tej se përfaqësimi i opozitës shqiptare në KSHZ nuk është vetëm interes i tyre politik por se në këtë mënyrë “mbrohen themelet për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike”.

Përpjekjet e LEN-it për të marrë një vend anëtari në Komisionin e zgjedhjeve kanë filluar që prej themelimit të këtij koalicioni para pak muajsh dhe u shtuan me njoftimin për shpalljen e datës së zgjedhjeve parlamentare, që do të jetë 8 maji, 2024.

BDI-ja nuk është përgjigjur menjëherë ndaj këtyre akuzave të opozitës, ndërsa kryetari i Parlamentit, zoti Talat Xhaferi, i cili është nga radhët e BDI-së iu ka dërguar më parë letra edhe partive të LEN-it por edhe dy partive të formuara së fundmi, PDE dhe “Lëvizja Populli” për t’u kërkuar që të propozojnë kandidatët e tyre për në KSHZ. LP menjëherë bëri të ditur se nuk ishte e interesuar për këtë post.

Ndërkaq, shumica e anëtarëve në Komisionin përkatës të parlamentit për mandate dhe emërime nuk e kanë pranuar kandidaturën e Abdush Demirit të LEN-it me arsyetimin se ai është zyrtar i partisë BESA, ndërsa rregullat e kërkojnë që një kandidat për KSHZ të mos jetë anëtar partie. Vetë zoti Demiri qe zotuar të largohej zyrtarisht nga partia dhe e bëri këtë duke e vërtetuar me anë të një dokumenti të noterizuar, por përsëri Komisioni e ka zvarritur çështjen e kompletimit të KSHZ-së.

LEN thotë se parti të vetme opozitare, sipas Kodit Zgjedhor janë Alternativa dhe Lëvizja Besa të cilat kanë dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare.

Siç duket, partitë e shumicës parlamentare parapëlqejnë që vendin bosh të anëtarit në KSHZ t’ia lënë Partisë së re Demokratike Evropiane (PDE), e cila ka vetëm një ligjvënës në parlament dhe nuk ka marrë pjesë në zgjedhje parlamentare si entitet politik. Analistët e shikojnë PDE-në të afërt me partitë e pushtetit. Vendi bosh në KSHZ mbeti që kur Krenar Lloga (i Aleancës për Shqiptarët) u largua prej aty për të marrë postin e Ministrit të Drejtësisë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.


Shtuar 5.01.2024 22:00