Opozita maqedonase nuk e ka ndërmend të lejojë që rikonstruimi i qeverisë të kalojë lehtë. Edhe në ditën e dytë të debatit në Kuvend, të zgjedhurit e popullit debatojnë për pikën e parë, shkarkimin e ministrave të Alternativës. Edhe rreth 30 deputetë, pjesa më e madhe të VMRO-DPMNE-së, presin radhën të marrin fjalën kurse numri i tyre shtohet për shkak të replikave nga kolegët. Partia e Mickoskit thotë se rikonstrumi bëhet për interesa të ngushta dhe jo për të ardhmen evropiane të vendit. Ata kërkojnë zgjedhje të reja.
“Kjo është edhe më keq se katastrofa natyrore. E shkatërruat dhe e larguat të ardhmen e Maqedonisë, flas për të ardhmen multinacionale të Maqedonisë, pa marrë parasysh nga cili mes etnik ose religjioz, janë ata. Vendit i duhen zgjedhje, shtetit i duhen kuadro të reja progresive të cilët janë të dëshmuar në fushën e tyre dhe të cilët e dinë se çfarë bëjnë. Prandaj duhet të shkojmë në zgjedhje dhe t’u jepet fund njëherë e përgjithmonë këtyre koalicioneve shit e blejë”, tha Nikolla Micevski, koordinator i VMRO-DPMNE-së.
Pushteti nga ana tjetër mbron punën e deritanishme. Ka besim se partneri i ri i koalicionit përforcon shumicën dhe siguron vazhdimin e politikave që kanë nisur.
“Filluam negociatat me BE-në, diçka të cilën ua kemi borxh qytetarëve. Dhe të gjitha këto janë suksese të kësaj qeverie dhe do të pëlcisni nga halli që për 11 vjet asnjërën nga këto nuk e keni bërë”, deklaroi Darko Kaevski, LSDM.
“Tendencat për ta fëlliqur figurën e lidershipit të Aleancës për Shqiptarët jo vetëm që janë të padrejta por kanë edhe një mesazh. Me atë doni të thoni se të gjithë jemi të njëjtë. Nuk jemi të njëjtë sepse qeverisja kriminale dhe korruptive e juaja për 10 vite me Gruevskin i kalon përmasat biblike dhe më e keqja është se ju nuk e gjeni forcën për të bërë as një distancim minimal nga kjo”, u shpreh Syrija Rashidi, Aleanca për Shqiptarët.
Pas pikës për shkarkimin e ministrave të Alternativës, në radhë është votimi i ministrave dhe zv.ministrave të rinj, pjesa më e madhe e të cilëve janë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët. Gjegjësisht, partia e Arben Taravarit do të ketë 3 ministra dhe 2 zv.ministra, pas rikonstruimit të kabinetit qeveritar. Me këtë ritëm, debati nuk pritet të përfundojë për disa javë. /Alsat.mk