Opozita bojkoton Komisionin Antikorrupsion/ Xhafaj e Nikolla: Keqardhje për ta

Komisioni Anti-Korrupsion me drejtues Fatmir Xhafajn, zhvilloi sot mbledhjen e parë të konstituimit. Mbledhja nisi siç dhe ishte lajmëruar në orën 09.30 dhe e pranishme ishte edhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla.

Në mbledhje janë të ftuar edhe deputetët e opozitës, ndonëse këta të fundit nuk e kanë votuar dhe kanë deklaruar se nuk do të bëhen pjesë e këtij komisioni të Posaçëm.

Në cilësinë e kryetarit të Komisionit, socialisti Fatmir Xhafaj, u shpreh i keqardhur që opozita nuk iu përgjigj ftesës.

“Ky komision do të diskutojë çështje në interes të qytetarëve dhe që janë përtej ngjyrimeve tona politike.

Rikujtojmë se opozita më herët nuk mori pjesë në konstituimin dhe mbledhjet e para të reformës në drejtësi, por ata e kuptuan gabimin. Shpresoj që të mos ndodhë e njëjta gjë, por të na bashkohen”, u shpreh Xhafaj.

Keqardhje për mungesën e opozitës, shprehu edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Ky komision do të ketë mbështetjen tonë të plotë. Nuk ka asnjë pjesë politike dhe është gjithëpërfshirës”, tha Nikolla.

Komisioni ka 11 anëtarë, 6 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita, komision me afat 10 mujor. Anëtarët e këtij komisioni, janë kryetarët dhe zv.kryetarët e 4 komisioneve të përhershme parlamentare dhe ata të Këshillit të Integrimit Evropian.

Objekti i Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion

Komisioni i Posaçëm në zbatim të rezolutës së Kuvendit “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, ka për qëllim kryesor të tij të drejtojë e koordinojë një proces të thelluar reformimi, me synim:

1) Përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet

2) Thellimin e luftës kundër korrupsionit

3) Forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit, duke patur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian për grupkapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike”.

Komisioni i Posaçëm ka për objekt të veprimtarisë së tij që përmes një procesi publik, gjithëpërfshirës e transparent, mbështetur në mekanizmat, rregullat dhe procedurat përkatëse parlamentare dhe me angazhimin e kontributin aktiv të ekspertizës më të mirë vendase dhe ndërkombëtare të realizojë:

1) Një vlerësim / analizë të situatës aktuale në të tre fushat, duke u mbështetur kryesisht në gjetjet dhe rekomandimet e shprehura në raportet e Bashkimit Evropian, përmes një angazhimi gjithëpërfshirës me institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore, agjencitë ekzekutive e ato publike të pavarura, institucionet e sistemit të drejtësisë, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, subjekte të tjera të interesuara, organizatat e shoqërisë civile dhe vetë opinionin publik;

2) Hartimin dhe miratimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme për adresimin e sfidave përkatëse në këto fusha, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale, të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse;

Përbërja e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030

1. Fatmir Xhafaj kryetar (PS)

2. Klotida Bushka anëtare (PS)

3. Eduard Shalsi anëtar (PS)

4. Etilda Gjonaj anëtare (PS)

5. Evis Kushi anëtare (PS)

6. Toni Gogu anëtar (PS)

7. Jorida Tabaku anëtare (PD)

8. Dhurata Tyli anëtare (PD)

9. Sorina Kote anëtare (PD)

10. Flutura Açka anëtare (PD)

11. anëtar (PD)

1. Milva Ekonomi anëtare zëvendësues (PS)

2. Erion Braçe anëtar zëvendësues (PS)

3. anëtar zëvendësues (PD)

4. anëtar zëvendësues (PD)