Nga Dom Gjergj Meta
Depresioni shoqëror që po shpërfaqet në vrasjet dhe vetëvrasjet e kësaj fundvere në vendin tonë të vogël, sipas mendimit tim, i ka rrënjët në bjerrjen e shpresës se jeta mund të jetohet e gjitha, qoftë si përpjekje për t’i dhënë asaj një kuptim, qoftë si një jetë në shërbim të jetës së të tjerëve. Madje kuptimi më i thellë i jetës, është atëherë kur ajo i shërben jetës së të tjerëve dhe jo atëherë kur ajo kthehet në një litar rreth qafës apo në një karikator automatiku, që zbrazet mbi trupin e dikujt tjetër.
Religjioni mund të luajë një rol të tijin në këtë situatë, duke u vendosur në shërbim të jetës së njerëzve të çdo dite, në mënyrë që njerëzit t’i japin një kuptim a një kahje asaj. Sigurisht që një religjion, sidomos ai i krishteri, për të cilin i jap vetes njëfarë tagri për të folur, nuk mund të jetë në shërbim të jetës kur mundohet vetëm të imponohet me rregullat e veta, me veshjet pompoze, me forcën e hekurt të hierarkisë, a kur mendon se ka në dorë zgjidhjet e vetme ose kur e ngre vetveten si shpëtimtarin e botës. Zoti e shpëton botën dhe jo religjioni, kushdo qoftë ai religjion.
Ky i fundit është një instrument dhe ka si detyrë të parë t’u kujtojë njerëzve trashendencën (të përtejmen), jo për t’i frikësuar apo për t’u imponuar atyre një forcë madhore, që si një Deus ex machina drejton apo përcakton fatet e botës. Por për t’u kujtuar njerëzve se i përkasin një realiteti më të madh se vetja e tyre, se sa fshati, qyteti, etnia, kultura apo planeti i tyre.
Religjioni na kujton se jemi pjesë e një përmase më të madhe, të cilën nuk mundemi ta shterojmë as me shpikjet tona, as me financat apo strategjitë tona. Ai duhet t’u kujtojë njerëzve qiellin me yje, hapësirën e pakufishme dhe jetën si një mundësi e mundësive, ndonëse e kufizuar në kohë. Nëpërmjet fesë-besimit, religjioni na hap drejt një frymëmarrjeje më të madhe, që na tejkalon, sepse na zhyt në një mister, i cili në vetë natyrën e tij është i pakufi.
Kur ne kuptojmë dhe përjetojmë se i përkasim diçkaje më të madhe se sa ne, atëherë jeta nuk atrofizohet, nuk mbyllet në kornizat e ngushta të dhembjes së momentit apo të interesave, që zgjasin sa një llogari e majme bankare. Jeta e jetuar në mbylljen egoike të njeriut, është një varfërim shpirtëror, që sjell një varfërim ekzistencial dhe ky i fundit kthehet në mjerim, në të cilin njeriu nuk shikon veçse deri te hunda e tij e nuk e çon shikimin për më tej.
Kjo po i ndodh shoqërisë sonë, kjo duket se po i ndodh gjithë shoqërisë perëndimore ku ne bëjmë pjesë dhe e ka futur atë në një depresion vrastar apo vetëvrastar.
Feja, si përkatësi në një përmasë të përtejme e jo thjesht e vetëm si një përkatësi në një seri rregullash apo në një strukturë të caktuar, a komunitet të kufizuar, i duhet njeriut dhe sigurisht njeriut shqiptar. Dëbimi i trashendencës nga horizonti i jetës individuale dhe shoqërore është dëbimi i njerëzores dhe mjerimi i saj, pse jo edhe vdekja e saj.
Në këto raste është më e lehtë të akuzojmë policinë, sistemin gjyqësor, qeverinë apo politikën dhe kështu e rehatojmë ndërgjegjen tonë.
Ama e dimë mirë se edhe ne kemi lënë diçka mangët dhe ky është angazhimi ynë, thellimi e kërkimi ynë i kuptimit të jetës, marrëdhënia që ndërtojmë me jetën tonë dhe me atë të të tjerëve, si dhe me detyrat tona ndaj shoqërisë.
Nuk mund të themi vetëm: “Paguaj taksat.” e më pas çdo ditë të shohim indiferentë se si rrëzohet para nesh ngrehina e njerëzores. Duhet të shikojmë më thellë, më lart, më përtej. Jemi përgjegjës për jetën tonë, po aq sa jemi përgjegjës për jetën e të tjerëve, sepse jeta na është dhënë dhe askush nuk ka leje të na e marrë, as ne vetë.