Nga Emirjon Senja
Kosova po futet në një spirale të rrezikshme. Nuk po flas për tensionin me aleatët dhe bërjen e Vuçiçit të duket një lider normal, me të cilin mund të negociohet, pasi kjo analizë u takon diplomatëve, unë s’jam aq i mençur sa të mësoj KM Kurti si të sillet me amerikanët edhe pse është krejtësisht e dukshme që gjërat nuk janë hiç në rregull.
S’dua të merrem as me faktin se gjeopolitika ka ndryshuar, dhe se status quo-të nuk zgjasin përjetësisht. Serbët e kanë kuptuar këtë të fundit, kurse ne, ende..!
Ajo që me shqetëson më shumë se sa ky tension, ndoshta momental, janë ndryshimet në qasjen e qeverisë në menaxhimin e pushtetit dhe përcjelljen e kësaj fryme edhe në shoqëri, e cila konstatohet edhe në botën virtuale. Kjo po ndodh rishtaz.
Ka një polarizim të madh tashmë mes përdoruesve të rrjeteve sociale në Kosovë.
Tëitteri është i mbushur me lloj lloj personazhesh, në dukje trolla, shpesh edhe me emra sllav, që anatemojnë çdo postim të diplomatëve Perëdimor duke u dhënë atyre leksione mbi shtetin e së drejtës, implementimin e ligjit, dhe gjëra të ngjashme..!
Dmth gjithë kjo ushtri trollash po u jep leksione amerikanëve dhe britanikëve mbi demokracinë dhe ligjin!
E njëjta situatë është edhe në Facebook, ku ushtri sovranistësh, shpesh edhe që jetojnë në Gjermani, Zvicër etj, ekzekutojnë virtualisht këdo që guxon të luajë një muzikë ndryshe nga ajo e KM Kurti.
Në fakt, problemi më i madh këtu nuk është agresiviteti në reagime apo diarreja e leksioneve mbi demokracinë, por manipulimi i së vërtetës, montazhet dhe sajesat për deklarata apo takime të bëra diku apo me dikë, të cilat më pas vërtiten nëpër rrjetet sociale si fakte të vërteta! E kush verifikon më pas?! Ka shumë që besojnë se tërmeti në Turqi u shkaktua nga një anije amerikane që kaloi aty pranë! Ky është efekti shkatërrues i të pavërtetave që bëhen virale.
Krijimi i ushtrive të trollave me pagesë, shantazhi për denigrim publik ndaj gazetarëve, fushatat e mirëorganizuara të propagandës, sajesat, dezinformimi i sponsorizuar dhe veprime të ngjashme nuk janë tipare të një shoqërie të lirë.
Kosova nuk e meriton këtë!
Kosova ka qenë dhe është ende (deri kur?!) demokracia më funksionale e pellgut tonë.
Votuesit në Kosovë kanë qenë mjeshtra të zgjedhjeve.
Ata kanë ditur të ndëshkojnë kur duhet dhe kë duhet. Rrallë të tjerë e kanë bërë këtë në rajon.
Ka shembuj të tjerë në rajon ku qeverisjet autoritare, deri edhe diktatoriale kanë nisur pikërisht me flamuj nacionalizmi dhe besimi të shoqëruara me pas me ushtri trollash nëpër rrjetet sociale. Dhe gjërat atje s’po shkojnë fare mirë.
Mosni bre!