Rrezikohet manipulimi, INSTAT të nxjerrë të rezultatet e Censusit

Nga Ola Xama
Përse duhen publikuar të dhënat paraprake të Censit?

Ka disa javë që dëgjoj shifra tmerrësisht të ulta se sa ka dalë popullsia e Shqipërisë pas përfundimit të Censit të fundit. Vlerat e ulta raportohen si nga punonjës pranë Institutit të Statistikave, si nga ekspertë e profesorë, si nga përfaqësues të partive politike.

Një ditë më parë INSTAT bëri një deklaratë për shtyp ku njoftoi se të dhënat e Censit do të publikohen në muajin qershor, pa dhënë asnjë shifër paraprake. Madje për t’i vënë pikën se qershori nuk mund të konsiderohet larg, drejtuesja e INSTAT sqaroi se në të njëjtën periudhë janë publikuar dhe rezultatet e Censeve të tjera.

Në fakt kjo është një gjysëm e vërtetë, pasi rezultatet paraprake, se sa shqiptarë ishin, sa banesa, numri mesatar i antarëve të familjeve, arsimimi dhe besimi fetar i tyre për Censin 2011, janë publikuar në 22 janar 2011. 5 ditë pas përfundimit të anketës Post Cens që bën pastrimin e gabimeve.

Të dhënat përfundimtare janë publikuar më vonë, por ajo që intereson sot është numri i popullsisë, numri i banesave dhe numri i antarëve të familjes në nivel vendi, qarku dhe bashkie?!

Të dhënat duhet të ishin publikuar më shpejt po të llogariten shpenzimet për Censin, ku regjistrimi u bë elektronik, dhe duke patur parasysh zhvillimin e tij me 3 vjet vonesë, në kundërshtim dhe me afatet që lejon Kushtetuta (sanksionohet numërimi i popullsisë njëherë në 10 vjet dhe shtyrja e Censit është shkelje më vete).

Sot kemi dëgjuar akuza se ka përpjekje për manipulimin e rezultateve për të nxjerrë numrin e popullsisë në rritje, ndaj për hir të integritetit të procesit, INSTAT do të bënte mirë që të publikonte të dhënat paraprake.

Pastaj nëse ka vërtet tentativa për ndryshimin e rezultatit, Shqipëria do të bëhet vendi i parë në botë që do të ketë në burg punonjës të administratës që kanë hyrë për të mos rrëzuar propagandën e qeverisë! Në shtete dhe sisteme të tjera, rastet e burgosjeve janë kur kundërshtohet propaganda e qeverisë. Po të arrish që për punë PR dhe imazhi të bësh shkelje penale, i bie të kesh shkuar shumë larg…!

*Titulli është i redaksisë.


Shtuar 17.01.2024 19:46