Reforma Zgjedhore, koha që anija të dalë në det të hapur

Nga Lutfi Dervishi

Në një situatë ideale apo thjesht normale, zgjedhjet do të ishin thjesht një festival i demokracisë, ku secili voton i lirë për partinë që dëshiron, ku secili është i informuar nga media në mënyrë profesionale për partitë, programet, kandidatët  dhe në fund të ditës së votimit rezultatet pasqyrojnë vullnetin e  votuesve, shumica qeveris dhe pakica i nënshtrohet vullnetit të Sovranit.

Nxjerrja e rezultateve  për të përcaktuar shumicën dhe pakicën është thjesht aritmetikë. Por, përvojat e shkuara të 10 zgjedhjeve parlamentare  dhe 9 zgjedhjeve lokale na dëshmojnë se aritmetika shpesh kthehet në kimi dhe realiteti jo rrallë na servir një koktej me shije të hidhur, ku përbërësit kryesorë janë manipulimi, shitblejra e votës,  presioni, keqpërdorimi i burimeve  financiare/administrative, propoganda etj.  Në këtë kontekst, raporti i fundit i ODIHR-it për Shqipërinë, ashtu si edhe raportet e mëparshme,  thekson  nevojën për një reformë zgjedhore, në mënyrë që të garantohet një proces i ndershëm dhe transparent zgjedhor, ku rregullat e lojës janë të qarta dhe të barabarta, ku partitë konkurrojnë me njëra -tjetrën dhe jo me shtetin dhe ku publiku është i informuar për zgjedhjet që bën.

Mësimet nga e shkuara janë të qarta. Kur janë  zhvilluar zgjedhje të mira, kemi patur   stabilitet politik, institucional dhe rritje ekonomike. Vendi ka ecur më shpejt në rrugën e integrimit në BE.  Kur zgjedhjet kanë qenë të  këqija kemi patur kriza politike, koston e të cilëve e a kanë paguar në radhë të parë qytetarët e vendit.

Nëse do të gjykonim zgjedhjet nga dita e zgjedhjeve, ndoshta lista e rekomandimeve do të ishte më e shkurtër.  Por dita e zgjedhjeve nuk është gjithçka, deformimi i vullnetit të zgjedhësve nis javë e muaj më parë se të mbërrijmë te kutia e votimit.

Deformimi i votës

Nuk është sekret shit-blerja e votës. ODIHR-i bën thirrje për një luftë të vendosur kundër kësaj plage, duke kërkuar nga organet e zbatimit të ligjit që të jenë më të përkushtuar në identifikimin dhe hetimin e pretendimeve për shkelje zgjedhore. Është e qartë që pa një angazhim të vërtetë për të luftuar këto fenomene, integriteti i zgjedhjeve mbetet në pyetje. Nuk është çështja vetëm tek ashpërsimi i ligjeve. Kur shit-blerja vërtetohet nga aktivistët partiakë në sy të kamerave, kjo tregon se kemi të bëjmë me një problem me rrënjë të thella që kërkon angazhimin e forte jo vetëm të zinxhirit të agjencive ligj-zbatuese, por edhe të vetë partive politike. Rastet e bujshme të dosjeve të bëra publike dëshmojnë për një angazhim nga lart – poshtë për të deformuar vullentin e zgjedhësve. Rekomandimi parësor numër  1 ka të bëjë me deformimin e votes: “Organet e zbatimit të ligjit duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të identifikuar dhe hetuar në mënyrë të pavarur të gjitha pretendimet për shkelje zgjedhore, duke përfshirë blerjen e votës, presionin ndaj zgjedhësve dhe keqpërdorimin e burimeve administrative, në mënyrë tërësore, në kohën e duhur dhe me transparencë”.

Fshehtësia e Votës: Më Shumë se Thjesht një Perde

Një tjetër sfidë e rëndësishme është garantimi i fshehtësisë së votës, e cila është thelbësore për  besueshmërinë e procesit.  Mekanizmat mbrojtës që ndalojnë presionin ndaj zgjedhësve dhe votimin familjar janë jetikë për të siguruar që secili voton sipas ndërgjegjes së vet pa u ndikuar nga të tjerë.

Partitë raportojnë zgjedhjet

Në kohën e lajmeve të rreme dhe dezinformimit, në kohën e propagandës dhe keq informimit rëndësia e garantimit të qasjes në informacion të saktë dhe të besueshëm nuk mund t’i lihet në dorë as rastësisë as partive.

ODIHR-i bën thirrje për dekriminalizimin e shpifjes dhe mbështetjen e gazetarisë së pavarur, duke theksuar nevojën për një mjedis mediatik që shërben si një shtyllë e fortë e shoqërisë demokratike. Por realiteti i konsoliduar prej dekadash është se me përjashtim të ditës së zgjedhjeve, janë vetë partitë dhe kandidatët që raportojnë për vetveten dhe praktikisht i kanë shndërruar dhomat e lajmeve në teatër kukullash.  Publiku mendon se kronikat që sheh në televizon janë produkt i punës së gazetarëve. Për më tepër me zhvillimin e medias së re dhe sidomos asaj sociale, të pa përfshira në kodin zgjedhor lënë hapësirë që partitë të abuzojnë me këto kanale komunikimi, duke minuar informimin e plotë dhe të pa anshëm të fushatës. Rekomandimi prioritar është i qartë, mbetet vetëm faza e dytë e angazhimit: kalimi nga fjalët te veprat. “Përdorimi nga media i materialeve të prodhuara nga partitë ose autoritetet shtetërore në programet e lajmeve dhe informacionit duhet të shmanget ose të kufizohet në raste të jashtëzakonshme, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore. Sa herë që transmetohen materiale të tilla, duhet të identifikohen qartësisht si përmbajtje e prodhuar nga garuesit politikë siç kërkohet me ligj. Për shkeljet që lidhen me kërkesat e ligjit për identifikimin e këtyre materialeve të gatshme duhet të parashikohen sanksione dhe duhet të zbatohen”.

***

Lista e rekomandimeve parësore dhe rekomandimeve të tjera është e shkruar me gjuhë të thjeshtë dhe të detajuar.  Por vetë komisioni bi partizan i ngritur në Kuvend është në krizë. Mungesës së vullnetit për reformë reale i shtohet edhe kriza politike  në të cilën ndodhet prej tri vitesh opozita.  

Duke folur për krizën e përfaqësimit në komisionin dy palësh dhe betejën për bashkëdrejtim gati është harruar se cilat janë detyrat e shtëpisë  që do të bëjnë të mundur vënien e procesit zgjedhor në shinat e një loje me kushte të barabarta për garuesit.

Raporti i detajuar i ODHIR nuk është thjesht një vlerësim i asaj që ka shkuar keq; ai është një ftesë për të vepruar, për të marrë përgjegjësinë dhe për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të përmirësuar procesin zgjedhor.  Eshtë koha që partitë politike, parlamenti, dhe të gjithë aktorët e tjerë vendimmarrës duhet të nxitojnë  jo vetëm për rekomandimet parësore dhe të tjera të ODHIR, por edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me procesin zgjedhor dhe mbi të gjitha për të drejtën e emigrantëve për të votuar.

Udhëtimi i reformës zgjedhor deri më tani i ngjan anijes që dëshiron të qëndrojë në port. Eshtë koha që anija të dalë në det të hapur.

__

Ky artikull bëhet në kuadër të projektit “Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme – Forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave të zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, realizuar nga ISP mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta përmes programit Matra.

 


Shtuar 11.03.2024 19:24