Na ishte njëherë një Vit i Ri, për “Replay”

Sa herë që vjen kjo datë, e çdo fundviti, si një lloj “Replay”, më rikthen tek ai Vit i Ri i shekullit të kaluar, si e vetmja festë e madhe popullore e festuar më shumë se çdo tjetër në Shqipërinë socialiste.

NGA UVIL ZAJMI

Sipas një modeli uniformë, mundësive, rrethanave, kushteve të kohës, në familje, lokale, në shesh, në spitale, reparte ushtarake, deri edhe në postat kufitare. Veçanërisht ajo natë. Nga pema e Vitit të Ri, dezhurnet, menutë e darkës, programi televiziv, restorantet, bashkë me Koncertin e Vjenës në “Rai 1”. Si në një moviolë ka mbetur, kur atmosfera e ardhjes së Vitit të Ri, niste, kur dekori i Tiranës, vendoste banera të mëdhenj festive, kryesisht në dikasteret në bulevardin kryesor. Pastaj me Festivalin e Këngës në TVSH, tradicionalisht në javën e fundit të dhjetorit. Me Vaçe Zelën fituese, Tërshanën, por jo pjesëmarrje në Eurofestival. Pema e Viti të Ri në familje, të cilat nuk tregtoheshin, por shiteshin në qoshe të rrugëve.

I sillnin fshehurazi nga mali i Dajtit, 10 lekë kushtonte një e tillë. Si në “Replay” nga ajo kohë ka mbetur Sahati, Xhamia, monumenti i Skënderbeut, lulishtja pas tij, pemët e larta të saj, që zbukuroheshin me llamba të lyera me bojë. Gjithashtu bordurat (ish-kafe “Gjirokastra”), me frekuentues të rregullt deri në orët e vona, tani të boshatisura. Nuk janë më aty fotografët, me Nuzin e famshëm, aparatet e markave ruse, ku dy foto bardhezi kushtonin 12 lekë.

Nuk ekzistojnë foto “Fatosi”, foto studio, pasi sot ka celularë dhe foto “Rreli”, foto “Kumi”, studio tejet moderne. Në një “Replay” artistik të kohës kur java e Vitit të Ri shoqërohej me mbrëmjet në Pallatin e Madh të Kulturës, me punonjës nga ndërmarrjet e dalluara, me këngë, recitale, pjesë humoristike, numra cirku, valle popullore, si dhe një orkestër, me muzikë për vallëzim. Të pranishëm aktorë të Estradës, këngëtarë të njohur të muzikës së lehtë. Për “Replay” është kur gjithçka improvizohej, kërcehej në grupe të ngushta miqësie, me muzikë që sigurohej nga një magnetofon “Philips” me kaseta, apo “Uher” me bobina. Sot nuk ekzistojnë, pasi ka të tjera forma argëtimi, dëfrimi dhe pa censurë: diskotekat, lokalet!

Nuk ka më ndeshje simbolike futbolli si ajo e datës 31, paradite në Pallatin e Pionierëve, ndërsa për një tjetër “Replay” janë disa dhjetorë: ai 48 pikëve të Agim Fagut ndaj Oransodës, i barazimit 0-0 me Gjermaninë, fitorja 2-0 me Belgjikën. Bashkë dhjetorin aktual, që na dërgoi në finalet e “Euro 2024”, por ndryshe, kjo fitore nuk ka nevojë për “Replay” as VAR. Për “Replay” ka mbetur një natë e Vitit të Ri te hotel “Tirana”, nuk ka më “Arbëria”, “Arbana”, por të tjerë hotele, motele, restorante luksi nga “Sheraton” te “Rogner”, “Karsberg”. As hotel “Dajti” nuk ka më, vetëm fama, emri, ndërtesa i ka mbetur.

Për sistemin VAR, mbetet ora 12-e e asaj nate, nga dezhurnet në qendrat e punës, institucionet, me të rinj, të pamartuar, jo me gra e vajza, atë natë jashtë listave. Një mbrëmje familjare artistike, përballë markave, “Iliria”, “Butrinti”, ekraneve bardhezi me llamba, që jepeshin me autorizim, pa telekomandë, ndryshe sot, është koha e elektronikës, me “Sony”, “LG”, me ngjyra dhe krenare gjigandë. Një kanal televiziv, një program unik “Koncerti i Madh i Vitit të ri” me këngë, humor, valle, muzikë popullore të alternuara nga e gjithë Shqipëria.

Po kështu edhe radioja e që vazhdonin tri ditë. Sigurisht me folëset e famshme, si Moza Tafaj, por që mungojnë sot, ku mjafton një buton, për të gjetur parë, ndjekur dhjetëra kanale të tjera, me programe ‘show’ që ofron një Vit i Ri bashkëkohor. Për “Replay” mbeten rrallat për një pulë vendi apo hungareze, me gjelin e deti të marrë një muaj më parë e të ushqyer me ullinj në banjën e pallatit, apo oborrin e shtëpisë. Jemi në kohën e tallonit, listave në dyqanet ushqimore, me orë për 1 kg arra, vezë e mollë. Nuk është më Mapoja me fluksin e madh, as ato pak dyqane të hapura deri në orën 22.00. Bashkë me berberët, permanentet, pastaj të gjithë të mbledhur në shtëpi.

Broduei, xhiroja, qëndrimi të “Flora” janë lënë pas, vetëm me fotoreplay, mund të verifikohen për ekzistencën e tyre. Po kështu, edhe pijet e preferuar alkoolike. E privilegjuar atë natë ishte rakia e Skraparit, pastaj verat e bardhë e kuqe të markave “Riesling”, “Tokai”, “Shesh”, “Merlot”, “Kallmet”, të cilësisë së dytë, 42 lekë kushtonte. “Pino Nero” kishte destinacion tjetër. Nuk ka më birra, pije të KU “Ali Kelmendi”, ndryshe sot i ke të gjitha të markave të huaja. Jo më limonë apo portokaj me mik nga bregdeti, sot janë me bollëk. Si ëmbëlsirë ka mbetur kadaifi, bakllavaja që asokohe kërkonte mundim të madh petë pas pete, ndërsa sot i ke të gatshme.

Pa harruar panetonen. Nuk ka më lodhje për gratë, kur gatuhej me vajgur, me furnelat e Gjirokastrës, sobat me dru, tavat me korrent, në ato apartamente të kohës, që as për moviolë, “Replay” e VAR nuk janë sot. Jo në pak raste ngarkesa e madhe, shkaktonte ikjen me orë të dritave. As bukë rezervë nuk ka më, pasi dyqani i bukës mbyllej për dy ditë, ndërsa sot i ke të shumëllojshme. Nuk ndryshonte lëvizja e trenave, që pasi kryenin udhëtimin e fundit të vitit, të nesërmen niseshin normalisht.

Po kështu, edhe autobusët e udhëtarëve me destinacion qytetet e largëta dhe ato urbanë. 1 janari i çdo fillimviti, në start me familjet që vendosnin kalendarin vjetor në mur, një model i prodhuar nga MMS “Hamit Shijaku”, – Tiranë. 20 lekë kushtonte. Për të vijuar me vizitat sfilitëse, lodhëse dhe rëndësinë që kishte njeriu i parë që do të futej në shtëpi, përcaktues për fatin e mirë ose jo për familjen.

Me të edhe fëmija e parë që lindte në orët e para të Vitit të Ri, që nuk do të mungonte në lajmet qendrore në TVSH. Madje i përsëritur në të gjitha edicionet. Ajo orë e ndarjes së viteve shoqërohej me fishekzjarrë, kur paraditen e 31 dhjetorit, në disa pika të Tiranës, pas Bankës, sot selia e PS, mbrapa Teatrit të Operës, vendoseshin murtaja dhe zona rrethohej me ushtarakë. Disa prej tyre ishin në formë parashute, në majë kishin një kub, që i shërbente për rënie të lirë.

Dhe njerëzit me vështrimin lart, prisnin, pastaj kush mundet t’i kapte. I përdornin për rroba banje. Në ato orë, urgjenca e spitalit kishte fluks me të dëmtuar që merrnin ndihmën e shpejtë nga plagët që u kishte krijuar hedhja, goditja, zjarri i një fishekzjarri. Pa harruar kartolinat, vërshimin e tyre për një gëzuar, ndryshe sot, kur për një “Happy New Year” mjafton një SMS.

Nuk ka më furra me furrtarin, që një llamarinë metalike trekëndëshe me numër, e ngulte mbi pulën, gjelin ose tavën e mishit. Si në një “Replay” të gjatë kohor, të ndarë midis dy shekujve, ka mbetur ajo natë, kur një polici patrullonte, një vend ku punohej, festohej, por edhe vigjilohej. Me datën 3 janar e gjithë Shqipëria, i rikthehej punës, ritmit ditor, javor. Me to në treg edhe gazetat “Zëri” e “Bashkimi”.

Ai Vit i Ri ka kohë që është lënë pas, për të mos u kthyer kurrë, as me “Reply” e VAR. Nga ai Vit i Ri ka mbetur Koncerti i Vjenës, ai i datë 1 janar, në drekë, i vetmi program i huaj televiziv që lejohej nga udhëheqja komuniste. Sot është koha e “Mis Albania”, me vajzën triumfuese edhe në “Earth Word”.


Shtuar 27.12.2023 15:48