Kur tymi nga djegia e mbetjeve në landfillin e Vlorës, nuk është më vetëm një erë e keqe, është një metaforë që…

Nga Ornela Çuçi

Kur tymi nga djegia e mbetjeve në landfillin e Vlorës ngrihet mbi qytet, nuk është më vetëm një erë e keqe, është një metaforë për gjithçka që djegim çdo ditë në këtë vend: shëndetin, turizmin, transparencën, dhe të ardhmen.

Në vend që të riciklojmë plastikën, po riciklojmë premtimet, siç edhe në këtë fushatë zgjedhore. Në vend që të mbledhim mbetjet, po mbledhim grimcat e dioksinave në mushkëri. Dhe ndërkohë që flitet për 12 milionë turistë, ata dhe gjithë banorët e Vlorës sot frymojmë PAH, PCB, dhe grimca PM2.5 në doza që as libri i toksikologjisë nuk i përballon pa maskë.

Dioksinat nuk kanë nevojë për pasaportë europiane për të hyrë në gjakun tonë, as për tender publik për të na dhënë kancer. Dhe plumbi që emetohet sot në Vlorë? Ai vendoset në tru të fëmijëve më shpejt se çdo plan mësimor.

Landfilli i Sherishtës nuk është më një problem teknik. Është një simbol tragjik i paaftësisë për të menaxhuar të djeshmen pa djegur të nesërmen.

Nëse ka një erë që s’mund ta mbulojë më as deti i Jonit, është ajo e politikes që digjet në të njëjtin zjarr me plehrat. Dhe siç ndodh gjithmonë, ata që frymojnë më shumë janë ata që kanë fajin më pak.

Ndërkohë, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit krijoi një Agjenci Kombëtare të Mbetjeve, jo për të ndaluar djegien e plehrave, por ndoshta për të djegur ndonjë listë të re pagash. Sepse Shqipëria nuk ka nevojë për një sistem funksional të mbetjeve, ka nevojë për disa vende pune dhe ca fonde ndërkombëtare të reja për të justifikuar “angazhimin”.

Dhe kur tymi ngrihet, fondet zbresin rafishatë në manaxhim të ministrisë. Ironike, apo jo?

Sa për kryetarin e bashkisë, i ngarkuar me përgjegjësinë ligjore për të menaxhuar dhe mbrojtur qytetin nga ndotja, ka zgjedhur ta denoncojë landfillin në prokurori, si të ishte ndonjë kalimtar i rastësishëm që u kap i papërgatitur nga zjarri.

Edhe këtë vit ka vendosur që të ndjekë dikë në drejtim të paditur!

Po të mos e dinim që është vetë përgjegjës për menaxhimin e tij, do mendonim se e paska djegur ndonjë turist i dehur dhe jo paaftësia e institucioneve që kanë dekada që e mbulojnë problemin me baltë e më pas me zift.

E ndoshta ndonjë ditë do kuptojmë që flakët e landfillit nuk janë vetëm pasojë e mbetjeve, por e indiferencës sonë kolektive që digjet ngadalë, pa tym, por me pasoja shumë më të rënda.


Shtuar 7.06.2025 16:29