Ish-Presidenti Moisiu si një figurë e pastër për të legjitimuar terrorin e kuq gjatë dhe pas luftës në Shqipëri

Nga Ermal Prifti 

Ish-Presidenti Alfred Moisiu mbushi plot 95 vjeç dhe konsiderohet si një ndër figurat më konsensuale në vend. Përmes një konsensusi politik në mes të një krize mes maxhorancës dhe opozitës ai u zgjodh edhe në krye të shtetit në vitin 2002 duke shërbyer me dinjitet.

Ai është aktualisht ndër të vetmit personazhe të njohur që i kanë shërbyer atdheut duke luftuar kundër forcave naziste si partizan gjatë Luftës së Dytë Botërore, periudhë gjatë së cilës personazhe të tjerë që vishnin uniformë të ngjashme fatkeqësisht ushtruan terror ndaj kundërshtarëve politik në të gjithë vendin, për të shënuar kulmin në masakrën e Tiranës fill pas futjes në kryeqytet teksa ikte dhe gjermani i fundit.

Mirëpo, figura të pastra dhe konsensuale si të Presidentit Moisiu përdorën jo rrallë edhe nga dashakeqë me qëllim justifikimin e vrasjeve që komunistët bën gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Ndonjë ish-zyrtar i partisë së Ilir Metës për shembull, qejfmbetur për shkaqe tejet personale, përdori po ashtu Presidentin Moisiu për të nxjerrë inatin me Presidetin aktual të Republikës duke kërkuar gjoja dekoratë për ish-Presidentin, ndërkohë që prej muajsh ligji i dekoratave është i bllokuar.

Si mund të dekorojë Presidenti në detyrë një ish-President kur për momentin nuk ka ligj për dekoratat? Këtë e di edhe studenti i vitit të parë në gazetari dhe më i riu i LRI.

Marrëzia vijon më tej, kur i njëjti ish-zyrtar i LSI akuzon Presidetin në detyrë se nuk gjatë fjalimit të tij me rastin e 112 vjetorit të Pavarësisë nuk foli për 80-vjetorin e çlirimit, ndërkohë që ka mjaft deklarata online te kreut të shtetit në lidhje me Ditën e Çlirimit.

Në fakt, duket sikur qëllimi nuk është as Moisiu dhe aq më pak Begaj, por personazhe që kërkojnë që rikthehen në vëmendjen e publikut dhe rifutjen nën çatinë e Rilindjes duke përdorur një ish-President dhe një President në detyrë për qëllime malinje.

Tani, le t’i rkthehemi ngjarjeve të nëntorit 1944 në Tiranë, të cilat ende nuk janë pranuar dhe madje ka ende pinjollë komunistë që kërkojnë t’i justifikojnë duke përdorur pikërisht figura si ish-Presidenti Moisiu.

Çlirimi i Shqipërisë ishte i sigurt tashmë teksa nazistët po tërhiqeshin nga Fronti i Lindjes. Tashmë, gjeneralët nazistë po mendonin si të shpëtonin Gjermaninë dhe jo të linin kockat nëpër skërkat e Ballkanit duke vendosur tërheqjen masive.

Ndërkohë, komunistët nën udhëheqjen e jugosllavëve kishin plane të tjera. Synimi ishte pastrimi i vendit nga elementët nacionalistë dhe që mund të sillte kërcënim për drejtimin e vendit pas largimit të nazistëve.

Nga fundi i tetorit 1944 deri në ikjen e forcave naziste, njësitet komuniste hynë shtëpi më shtëpi të nacionalistëve sipas listave të parapërgatitura duke vrarë pa gjyq personazhe të njohur të Tiranës dhe Shqipërisë në atë kohë.

Janë pikërisht këto ngjarje që personazhe të ndryshëm përpiqen të legjitimojnë duke përdorur figura të respektuara si ish-Presidenti Alfred Moisiu apo për të nxjerrë inate personale me Presidentin aktual.

Moisiu nuk e meriton këtë!

*Qendrimet në kategorinë Opinion i përkasin vetëm autorëve


Shtuar 1.12.2024 16:48