Festivali i Gjirokastrës mund të përfundojë në SPAK

Nga Lutfi Dervishi

Xhan-xhin njeri në Sarandën e bukur të Kikos, majmunit tonë mendjendritur që prej 1 viti na sjell habere nga jugu i vendit.

Si një korrespodent i vërtetë që lajmet jo vetëm i raporton por edhe i përjeton, Kiko nuk mundi t’i besonte dot syve pasi ngriti qepallat e rënduara nga gjumi i thellë.

Edhe pse zemra e ditës, Saranda ishte zbrazur edhe nga turistët e huaj, edhe nga turistët vendas por edhe nga vetë sarandiotët.

Një nga policët që Kiko vjet ja zbuti kurrizin me shpulla dhe zuri faqet e para të portaleve, e informon Kikon për çdo lëvizje në qytet. Sot polici e i informoi Kikon se të gjithë e kanë mbajtur frymën në Gjirokastër pasi nesër është nata finale e festivalit që u rikthye mes këngës dhe valles popullore.

Me shpresën dhe dëshirën e zjarrtë për të dëgjuar dhe parë drejtpërdrejt këngë për udhëheqësin e madh të partisë dhe popullit (që ka mbetur në Shqipëri, rajon dhe Europë Juglindore), për veprat epokale lot pas loti, për sukseset e reformës në drejtësi, për vijën e drejtë dhe të pagabueshme të stabilitetit rajonal, për fluturimet satelitore, Kiko mbajti frymën te organizatorët e Festivalit dhe kërkoi të shihte programin e natës finale!

Një gazetar që po raportonte live u vetëofrua për t’i mësuar Kikos vallen “Festë të madhe ka sot Shqipëria!”

Por Kiko u largua nga skena e Festivalit në kalanë e qytetit të gurtë i zhgënjyer dhe i inatosur. Ai kërcënoi me bojkot natën finale dhe paralajmëroi një padi në SPAK nëse organizatorët nuk reflektonin me urgjencë për mungesën skandaloze të këngëve që lidhin traditën dhe realitetin.

Të paktën këngët popullore që janë bërë shumë popullore të vihen urgjentisht:

Lista e këngëve që Kiko kërkon të këndohen në finale.

Këngë për Udhëheqësin: “Po ku je o Edi Rama/ ti je burrë që s’do reklama!”

Këngë për Këshillin e Larte të Prokurorisë “Cili vjen me uratë/ para Këshillit të Lartë”.

Këngë për situatën në Rusi: “Lojë e madhe e Putinit/ rebelimi i  Progozhinit.”

Këngë për veprat publike: “Rrugë e re, të çon bregdet/ inaugurohet ka 10 vjet!

Këngë për organizatën MEK: “Hani, pini dhe këndoni, në 2025 do të  votoni”

Këngë për presidentin: “Shqipërisë i dola zot, ja e shtyva dhe 1 mot”

Këng për rritjen e rrogave të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë : “Ti shijojmë këto pushime, jetë e poshtër, ka shpenzime”

Situata në Veri të Kosovës: “Vuçiq liroi policët nga frika, rroftë Rama e Amerika!”

Këngë për opozitën: “Bëj të qaj e nuk qaj dot, bëj të qesh e nuk nxjerr lot”

Këngë për mbylljen e sezonit televiziv politik: “Hum-hum-hum, e ham-ham-ham, 1 sezon bukë e sallam”

Këngë për festivalin: “Nga veriu gjer në jug, populli do veç cirk dhe buk’”

Kiko palosi letrën e programit në disa pjesë dhe ja futi heshturazi në xhep një prej organizatorëve pa thënë më asnjë fjalë. Lëvizjet e tij u ndoqën me habi nga të pranishmit që e dinin se me siguri diçka po e shqetësonte majmunin e dashur.

Nuk dihet nëse kërkesa do merret në konsideratë por nesër është afati i fundit që festivali i vlerave t’i qëndrojë vlerave dhe traditës pasi historia e muzikës shqiptare ka të gdhendur të gjitha këngët për burrat e kombit shqiptar: Nga Skënderbeu, tek Ismail Qemali, Rama dhe ndonjë tjetër që mbase mund të ketë njohur historia…


Shtuar 30.06.2023 21:01