DOSSIER/ “Koburja e Çakos”

Nga Hasan Bello
Ajo që në literaturën botërore njihet me termin “casus belli” (“shkak lufte”, “pretekst” për konflikt ose ndërhyrje ushtarake të një shteti), në historinë e Shqipërisë ka hyrë me emrin “Koburja e Çakos”.
Kjo lidhet me pozicionin e pavendosur të Italisë dhe pazaret që ajo bënte në kurriz të shtetit shqiptar gjatë muajve të parë të Luftës së Parë Botërore.
Në tratativat që Roma bënte me përfaqësuesit e Antantës (Britanisë, Francës dhe Rusisë) për tu bashkuar me to kundër Bllokut Qendror (Austro-Hungarisë, Gjermanisë dhe Perandorisë Osmane), kërkoi si shpërblim për hyrjen e saj në luftë përkrah tyre Vlorën dhe ishullin e Sazanit.
Ky ishte pretendimi minimal, sepse në planet e saj qeveria italiane mendonte që të kontrollonte edhe Shqipërinë e Mesme. Këto aspirata gjetën mbështetjen dashakeqe të ministrit të Jashtëm rus, Sazanovit, i cili i deklaroi kolegut italian se “Eksperienca e dështuar e krijimit të shtetit shqiptar është një provë edhe më e madhe se Shqipëria nuk është gjë tjetër veçse një nocion gjeografik”. Kjo bëri që Italia të mos priste rritjen e pazarit nga Antanta dhe Blloku Qendror, por të krijonte shkaqe për të ndërhyrë ushtarakisht në Vlorë.
Në vjeshtën e vitit 1914, ajo shfrytëzoi gjendjen e rënduar të refugjatëve shqiptarë që ishin dyndur në Vlorë për shkak të masakrave greke. Në qytet zbarkoi një “mision sanitar” ku zyrtarisht bënin pjesë mjekë, infermierë etj., por bashkë me ta kishte dhe ushtarë e oficerë të kamufluar.
Qeveria italiane i trembej fitoreve të ushtrisë austro-hungareze kundër Serbisë dhe, kishte frikë se ajo mund të mbërrinte përpara saj në Shqipërinë e Jugut.
Por për ndërhyrjen e ushtrisë italiane duhej gjetur një pretekst. Konsulli italian i Vlorës, Ç. Lori për këtë përdori avokat Gjergji Çakon. Ky dhe disa të tjerë mendonin se ushtria italiane ishte e vetmja garanci që mund t`i mbronte shqiptarët nga masakrat e ushtrisë greke.
Në mëngjesin e 25 dhjetorit 1914, Gjergji Çako, nxiti dy tre naivë, ku një ndër ta ishte dhe Zeman Mashkullora (një nga pjestarët e çetës së Çerçis Topullit në vitet 1908-1909), që të zbraznin disa kobure duke bërtitur “Po vijnë grekërit”.
Kjo ngjalli panik në popull, ndërsa forcat italiane që gjendeshin në anijet e tyre pranë Vlorës zbritën në qytet “për të qetësuar situatën”. Kështu filloi pushtimi i Vlorës nga italianët, të cilët, do të qëndrojnë atje deri në gusht të vitit 1920.
Në zhargonin politik dhe në popull deri vonë “Koburja e Çakos” nënkuptonte një pretekst të sajuar…


Shtuar 29.01.2023 14:20