ANALIZA/ Pse u detyrua Rama të shfajësojë Berishën për kullën

Me një “çarçaf” të gjatë që ka varur në murin e tij virtual, Edi Rama ka sulmuar operacionin mediatik që prej disa ditësh ngriti biznesin e përbashkët mes tij dhe Sali Berishës nëpërmjet lidhjeve me pronarët e kullës “Mali Tirana”, që nisi të ndërtohet në qendër të Tiranës. Me mohimin e një biznesi pozitë-opozitë të cilën e quajti konspiracion, Edi Rama shfajësoi veten, por edhe palën kundërshtare. Për hir të së vërtetës e gjithë narrativa baltoste më shumë opozitën e Berishës se sa qeverisjen e Ramës.

Që një opozitë të frymëzojë duhet të jetë në radhë të parë e pakorruptuar dhe e aftë t’i rezistojë joshjes së favoreve të pushtetit. Që të ngjallë shpresë dhe të bëjë ndryshimin, opozita supozohet t’u flasë qytetarëve në emër të parimeve më të larta, për një qëllim që shkon përtej interesave vetjake. Por si mund t’i arrijë të gjitha këto, nëse zhytet në pazare me pushtetin?

Pikërisht për këtë njollë ndaj frymës opozitare në vend, interesi i Edi Ramës do të ishte që narrativa e kullës në themelet e së cilës ai qëndronte bashkë me Sali Berishën, të vazhdonte akoma më gjatë. E megjithatë ai e ka thënë fjalën kundër, duke sinjalizuar mediat pranë tij t’i ndalin “topat e baltës” kundër Berishës dhe të birit dhe arsyet për këtë janë disa.

1) Arsyeja e parë, është se afera e kullës Rama-Berisha në qendër të Tiranës përforcon imazhin e Ramës si njeriu me fuqinë më të madhe korruptuese që ka njohur ndonjëherë politika shqiptare. Shembujt janë disa. A) Asnjëherë më parë një pushtet nuk i ka korruptuar mediat siç ndodh nën qeverisjen e Edi Ramës. Edhe nën pushtetin e Fatos Nanos, edhe nën pushtetin e Sali Berishës, mediat kanë qenë të ndara në pro dhe kundër pushtetit. Vetëm falë fuqisë korruptuese të Edi Ramës, mediat janë bashkë për të krijuar një errësirë të tillë mediatike, që i dedikohet një kontrolli kapilar të redaksive. B) Paralelisht me mediat, është kalimi në anën e qeverisë i njerëzve të biznesit. Të konsideruar rëndom si oligarkë, të njëjtët njerëz që përfitonin favore nën qeverinë Berisha, gjetën një ambjent po aq të përshtatshëm por akoma më të sofistikuar për mënyrën e të bërit biznes nën qeverisjen e Edi Ramës. Sot, për biznesmenët më të mëdhenj në vend është ekzistencial koordinimi me qeverinë, pavarësisht të shkuarës apo bindjeve personale. C) Rast flagrant i fuqisë korruptuese të Edi Ramës është Charles Mcgonigal, ish shefi i zyrës së FBI në Neë York. Në këmbim të favoreve që mori nga Rama për licensat e naftës, McGonigal nxiti hetimin e Lulzim Bashës nga zyra e FBI në Shtetet e Bashkuara, duke punuar përsonalisht për këtë. Për veprimtarinë e tij të padeklaruar në Shqipëri dhe për paratë që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, ish zyrtari i lartë i FBI po gjykohet në SHBA. D) Rast tjetër i përfolur i fuqisë korruptuese të Edi Ramës është ai i Lulzim Bashës, i cili u filmua duke hyrë në të njëjtën hyrje me Taulant Ballën e Partisë Socialiste për një takim, rrethanat e të cilit nuk i sqaroi kurrë. Në muajt në vazhdim Basha përfitoi vulën e PD-së, ndërsa i ishte bashkuar socialistëve në disa votime konsensuale në kuvend.

2) Një bashkëpunim financiar Rama-Berisha do të ngrinte dyshime mbi lojën politike të Ramës përballë ambasadës amerikane që kërkon me çdo kusht eleminimin politik të Sali Berishës. Publikisht, Rama ka qenë 100% i njehsuar me qëndrimet politike të amerikanëve në raport me Berishën. E ka shmangur rregullisht replikën me të në çdo seancë parlamentare.

Praktikisht, grupi Berisha në kuvend nuk ekziston për kryeministrin, që e ka shpallur “të vdekur politikisht”, që pas shpalljes së tij non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Njësoj nismat e grupit të deputetëve që mbështesin Berishën, për asnjë rast nuk kanë marrë mbështetjen e grupit parlamentar të Partisë Socialistë.

Një aferë kaq e madhe që i bën bashkë në kullën më të lartë të Tiranës, do të ishte një thikë pas shpine që Rama ia ngul ndërkombëtarëve, të cilëve u përbetohet për bindje në thuajse çdo nismë politike.

3) Bashkëpunimi me Sali Berishën për një operacion financiar si ai i kullës më të lartë në Tiranë do të ishte një lojë e dyfishtë përballë bashkëpuntorëve të tij brenda Partisë Socialiste, që po bien njëri pas tjetrit në burg dhe nuk e tradhtojnë “idealin e partisë”. Edhe pse këta janë në një gjendje mendore që më shumë se një partie politike, ngjan me një repart ushtarak, duhet thënë se mesazhi kryesor që i vjen nga kryetari i partisë është se “partia nuk është një zyrë avokatie”, apo se “në rastin e parë që dikush shkel në dërrasë të kalbur, kryetari do ta lëshojë”. Duhet kujtuar se në gojën e SPAK kanë përfunduar ish ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish deputeti Alqi Bllako. është shpallur në kërkim për t’u arrestuar ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe është sekuestruar inceneratori i Tiranës, një akt që implikon direkt kryetarin e Bashkisë Erjon Veliaj. Po ashtu është shkarkuar nga funksionet partiake, Damian Gjiknuri që është nën hetim nga SPAk për inceneratorin e Elbasanit. Një marrëveshje e Ramës me Berishën, do të shihej me irritim nga vartësit e tij, që deri tani e kanë justifikuar liderin e tyre, megjithëse vetë kanë përfunduar ose janë drejt qelive të burgut./Lapsi.al


Shtuar 11.08.2023 17:18