Operacioni me Guardia di Finanza-n, policia jep detajet: U sekuestruan 45 mijë euro dhe 28 kg kanabis

Zbardhen të tjera detaje në lidhje me operacionin ndërkombëtar të antidrogës, ku Guardia di Finanza, DEA amerikane dhe policia shqiptare goditën një grup kriminal në Kurbin që merrej me trafikun e drogës.

Operacioni është quajtur “Flakët e Detit.”

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, në një deklaratë për mediet bëri me dije se operacioni nisi në orën 22:00 të datës 14 gusht dhe ka vazhduar deri në orën 18:00 të datës 15 gusht.

Në velierë ndodheshin dy trafikantë të huaj, të cilët siç u mësua më herët janë me origjinë ukrainase.

Në këtë operacion u sekuestruan 2 armë zjarri, 200 fishekë ushtarakë kalibri 9, një automjet tip “Audi”, si dhe vlera monetare 45 mijë euro, 250.000 mijë shqiptare, 500 paund, 50 franga zvicerane.

Gjithashtu janë sekuestruar 25 aparat celular, një sasi prej 28 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis u gjet pranë vendit ku u gjet veliera e djegur. Deri tani janë arrestuar 6 shtetas shqiptarë dhe të huaj dhe puna hetimore vazhdon deri në dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje./Albeu.com/


Shtuar 16.08.2023 11:08