Operacionalja rrethon restorantin në Elbasan, prangosen dy eksponentë të njohur të botës së krimit

Dy eksponentë të njohur të botës së krimit raportohet se janë arrestuar pasditen e kësaj të hëne në Elbasan, në një prej restoranteve përgjatë aksit rrugor Elbasan-Ish-Metalurgjia, në fshatin Katund i Ri.

Operacioni ka qenë i befasishëm dhe është mbajtur në sekret të plotë nga strukturat e Policisë së Elbasanit, të cilat kanë kërkuar dhe ndihëm e agjentëve të Forcës Operacionale, një njësi elitë e specializuar për operacione të shpejta dhe me rrezikshmëri të lartë.

Ata kanë rrethuar fillimisht të gjithë zonën ku ndodhet restoranti, përpara se të ndërhynin në ambientet e brendshme, ku janë lokalizuar dhe ndaluar dy personat e skeduar nga autoritetet, por që deri tani identiteti i tyre nuk dihet.

Informacionet e marra në rrugë operative çuan në ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të rendit, të cilat kanë neutralizuar disa persona të dyshuar.

Operacioni është cilësuar si një nga më të rëndësishmit e zhvilluar kohët e fundit në Elbasan, një qytet që prej vitesh përballet me prani të lartë të grupeve kriminale. Në orët në vazhdim pritet një njoftim zyrtar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan.

Ky aksion vjen në kuadër të përpjekjeve të intensifikuara të strukturave të rendit për të goditur krimin e organizuar dhe për të garantuar sigurinë publike në një nga zonat më problematike të vendit.


Shtuar 13.10.2025 16:41