Policia e Shtetit dhe SPAK kanë ndërmarrë një operacion për arrestimin e disa personave, punonjës të IMT-së, të dyshuar për korrupsion.
Mësohet se dy persona janë arrestuar, ndërsa të paktën 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Operacioni vjen pas denoncimit të bërë më herët në polici se këta persona merrnin para tek biznese nga ndryshme.
Kujtojmë se më herët gjatë ditës së sotme, Policia ka vënë në pranga ish-kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Durrës, Ardian Halili, i akuzuar për ndërtim të paligjshëm në një zonë bregdetare në fshatin Shetaj të Ishmit.
Objekti në fjalë është një resort luksoz, i njohur me emrin “Restorant Saint Michelle Camping Hotel”, i cili përfshin ndërtesa banimi, ambiente me pishina, palma dhe struktura të tjera shërbimi.
Sipas hetimeve paraprake, kompleksi dyshohet se është ndërtuar pa leje në vitin 2017, periudhë kur Halili mbante funksione publike pranë Bashkisë së Durrësit.
Fillimisht, autoritetet raportuan për disa struktura të tipit “shtëpi pushimi” të ndërtuara pa autorizim, por hetimet e mëvonshme ngritën dyshime se i gjithë resorti është ngritur në mënyrë të jashtëligjshme.