“Olsi Rama je trafikant”, Berisha akuza të rënda ndaj kryeministrit: I fali të vëllait 37 mijë metër katror tokë

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka hedhur akuza të rënda ndaj kreut të qeverise Edi Rama dhe vëllait të tij, Olsit. Pas deklaratës të Bardhit, i cili publikoi dokumente që sipas tij implikonin Olsi Ramën me dosjen e Xibrakës dhe laboratorin e drogës, Berisha tha se prokurorët e partisë injoruan të gjitha faktet.

Berisha: Këto ditë u rikthye përsëri në skenë Olsi Rama, si bashkëpunëtori ndër më aktiv i grupit të Xibrakës. Me fakte, me dokumente, të gjitha të provuara. E provuar se Olsi Rama drekonte dhe darkonte me Genci Xhixhën, Gentian Gjonajn, Ermal Hoxhën e të tjerë. E provuar dhe e faktuar se me makinën e tyre, me makinën e grupit të drogës, Olsi Rama ka kaluar kufirin 18 herë. Ka hyrë në Shqipëri dhe ka dalë jashtë 18 herë.

E faktuar se ditën e arrestimit të dështuar të grupit, ai ka kaluar kufirin me makinë pa targa në Morinë. E faktuar se Genci Xhixha, kryetrafikanti me bazë në Kubë ishte paditur nga organet ligjzbatuese gjatë qeverisjes sonë për larje parash, bashkë me nënën e vet, bashkëpunëtore e afërt e Edi Ramës.

Të gjitha këto janë të faktuara, por megjithatë prokurorët e partisë injoruan të gjitha këto dokumente. I fshehën këto dokumente, nuk i çuan në gjykatë këto dokumenta dhe ai shkoi në dosje si bashkëpunëtori i paidentifikuar. Olsi Rama, të kemi identifikuar ne dhe gjithë Shqipëria, ti je një trafikant kriminel dhe do marrësh atë që meriton bashkë me vëllanë tënd që të mbron.

Më tej Berisha tha se kreu i qeverisë, i ka falur të vëllait 37 mijë metër katrorë tokë. Ai i kërkoi qytetarëtve që mos presin të veprojë drejtësia, por ta bëjnë vetë drejtësinë.

Berisha: Të dashur miq, a mund të ndodhë që me firmë dhe vulë kryeministri t’i falë me një euro, 37 mijë metër katrorë tokë, vëllait të vet.

A mund të ndodhë t’i falë kazerma me një euro, në një kohë kur ish pronarët, kur kanë marrë tokën e konfiskuar 60 vite më parë, për vjetërsinat e diktaturës, kanë paguar 800 mijë, kanë paguar 500 mijë, kanë paguar 1 milion dhe më shumë dollarë, në mënyrën më të padrejtë, por ligji ai ishte.

Të dashur miq, a do presim ne, që ndaj Olsit të veprojë drejtësia, që ndaj Edi Ramës të veprojë drejtësia? Do ishte qesharake po të prisnim ne. Drejtësinë duhet ta bëjnë qytetarët, qytetarët, qytetarët!/albeu.com 


Shtuar 2.04.2024 20:39