Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara zgjati misionin e tij politik në Afganistan për gjashtë muaj me një votim unanim të premten.
Në thelb, rezoluta, e hartuar nga Norvegjia dhe Estonia, u jep kohë vendeve anëtarëve të vlerësojnë se si do të qeverisin talebanët.
Gjatë muajve të ardhshëm, rezoluta do të sigurojë që misioni i OKB-së të mund të vazhdojë punën e tij në Afganistan duke monitoruar të drejtat e njeriut, duke mbrojtur fëmijët dhe civilët nga abuzimet dhe duke mbështetur “pjesëmarrjen e plotë, të barabartë dhe kuptimplotë të grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes”.
Rezoluta “dërgon një mesazh të unifikuar se ne mbështesim përpjekjet e ardhshme të OKB-së në Afganistan”, thanë Norvegjia dhe Estonia në një deklaratë drejtuar Këshillit të Sigurimit.
Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield e quajti punën e OKB-së në Afganistan të rëndësishme, duke shtuar se OKB-ja duhet të vazhdojë “t’u shërbejë afganëve dhe të avancojë të drejtat e tyre të njeriut dhe liritë themelore”.
Kur talebanët erdhën në pushtet pas tërheqjes kaotike të Shteteve të Bashkuara nga vendi muajin e kaluar, ata premtuan se do të formojnë një qeveri më gjithëpërfshirëse, por kur shpallën qeverinë e përkohshme, gratë dhe pakicat nuk ishin të përfshira./VOA