OKB paralajmëron: Kriza ushqimore mund të zgjasë me vite

Teksa lufta në Ukrainë po vijon në muajin e tretë, duket se pasojat e saj do të jenë afatgjata në mbarë botën.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres ka paralajmëruar se mungesat ushqimore të nxitura nga lufta në Ukrainë mund të shkaktojnë “kequshqyerje dhe uri në një krizë që mund të zgjasë me vite në të gjithë botën, shkruan The Guardian.

Duke folur gjatë një samiti në Nju Jork, Guterres i bëri thirrje Rusisë që të heqë bllokadën e saj në Detin e Zi, e cila po pengon dërgesat e drithit ukrainas në tregjet jashtë vendit.

“Le të jemi të qartë: nuk ka zgjidhje efektive për krizën ushqimore pa riintegrimin e prodhimit të Ukrainës,” tha Guterres. “Rusia duhet të lejojë eksportin e sigurt të grurit të depozituar në portet e Ukrainës”.

Megjithatë, ai tha se ishte në bisedime “intensive” me Rusinë për të gjetur një zgjidhje. Midis tyre, Ukraina dhe Rusia prodhojnë 30% të grurit në botë dhe ekspertët janë të shqetësuar se mungesa e furnizimit do të thotë se miliona njerëz do të mbeten të uritur.

Bllokada ka ndikuar gjithashtu në rritjen e çmimeve pothuajse dyfish në krahasim me vitin e kaluar./albeu.com/