OBSH paralajmëron: Rikthim i rrezikshëm i chikungunya-s, virusi që përhapet nga mushkonjat

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë një thirrje urgjente për të parandaluar rikthimin në shkallë të gjerë të virusit chikungunya, një sëmundje e transmetuar nga mushkonjat, që u përhap në mbarë botën dy dekada më parë.

Shkak për alarm është rritja e shpërthimeve të reja në rajonin e Oqeanit Indian, të cilat tashmë po përhapen edhe në Evropë dhe në kontinente të tjera. Sipas zyrtares së OBSH-së, Diana Rojas Alvarez, rreth 5.6 miliardë njerëz në 119 vende jetojnë në zona me rrezik potencial për përhapjen e këtij virusi.

Virusi shkakton ethe, dhimbje të forta në nyje dhe në disa raste mund të çojë në paaftësi afatgjatë. Alvarez paralajmëroi se situata po i ngjan epidemisë së viteve 2004–2005, kur virusi preku afro gjysmë milioni njerëz, fillimisht në territore të vogla ishullore, përpara se të përhapej në mbarë globin.

Sipas saj, vala e re e përhapjes ka nisur në fillim të vitit 2025, me shpërthime në ishuj të njohur si La Reuniondhe Mauritius – zona që ishin goditur edhe më parë. Vetëm në La Reunion, virusi ka prekur tashmë rreth një të tretën e popullsisë.

Përhapja vazhdon në Madagaskar, Somali, Kenia, si edhe në Indi dhe rajone të tjera të Azisë Juglindore. OBSH shpreh shqetësim edhe për rritjen e rasteve të importuara në Evropë, ku vetëm në Francë janë regjistruar rreth 800 raste që nga 1 maji.

Duke qenë se nuk ekziston asnjë trajtim specifik për chikungunya-n dhe se virusi përhapet shpejt, OBSH thekson rëndësinë e parandalimit. Si masa mbrojtëse rekomandohen përdorimi i insekticidëve dhe veshje me mëngë të gjata, pasi mushkonjat pickojnë gjatë ditës.


Shtuar 23.07.2025 13:37

Tags: ,