OBSH ngre alarmin: 30 herë më shumë raste të fruthit në Evropë në 2023

Tridhjetë herë më shumë raste të fruthit janë regjistruar në Evropë midis janarit dhe tetorit 2023 në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2022, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke bërë thirrje për një fushatë të intensifikuar vaksinimi.

“Midis janarit dhe tetorit 2023, më shumë se 30,000 raste u regjistruan në 40 nga 53 vendet në rajon”, i cili shtrihet në Azinë Qendrore, tha agjencia e OKB-së.

Në vitin 2022 janë regjistruar 941 raste.

Kazakistani dhe Rusia janë vendet më të prekura me më shumë se 10,000 raste secila. Me 183 raste, Britania e Madhe është vendi i Evropës Perëndimore ku rishfaqja e sëmundjes, e cila mendohej se ishte çrrënjosur në vitin 2021, është më e madhja.

“Ne gjetëm në rajon jo vetëm një rritje 30-fish të rasteve të fruthit, por edhe gati 21,000 shtrime në spital dhe pesë vdekje për shkak të fruthit. Është alarmante”, tha drejtori rajonal i OBSH-së, Hans Kluge, cituar në njoftim.

“Duhen përpjekje urgjente vaksinimi për të ndaluar transmetimin dhe për të parandaluar përhapjen.”

Rishfaqja e kësaj sëmundjeje shumë ngjitëse, e cila mund të shkaktojë komplikime kërcënuese për jetën dhe është e transmetuar nga ajri, i atribuohet rënies së mbulimit të vaksinimit gjatë viteve të Covid.

“Pandemia Covid-19 pati një ndikim të rëndësishëm në performancën e sistemit të vaksinimit gjatë kësaj periudhe, duke çuar në një grumbullim të fëmijëve të pavaksinuar ose të vaksinuar në mënyrë joadekuate”.

Më shumë se 1.8 milionë foshnja nuk u vaksinuan kundër fruthit midis viteve 2020 dhe 2022, sipas OBSH-së, e cila po bën thirrje për intensifikimin e fushatave ndërgjegjësuese në komunitetet e pavaksinuara.

Në nivel lokal, është e rëndësishme që të paktën 95% e fëmijëve të vaksinohen për të shmangur shpërthimet e mundshme kur të futet virusi. Në vitin 2022, vetëm 92% e fëmijëve në Evropë kishin marrë dozën e dytë të vaksinës.


Shtuar 23.01.2024 18:03