Nxorën me forcë nga banesa dy motrat, e pësojnë 5 shtetas në Tepelenë

Foto ilustruese

Hynë dhe nxorën me dhunë nga banesa në fshatin Progonat, 2 shtetase (motra), procedohen në gjendje të lirë 5 shtetasit, të cilët pretendojnë se banesa është në pronësi të tyre.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprat penale “Dhunimi i banesës”, “Vetëgjyqësia” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, në ngarkim të shtetasve G. L., 50 vjeçe, Sh. G., 59 vjeçe, banuese në Tepelenë dhe V. C., 60 vjeçe, A. G., 34 vjeç e A. I., 42 vjeçe, banues në Tiranë.

Këta shtetas, më datën 18.08.2022, në fshatin Progonat, Tepelenë, kanë hyrë me dhunë në banesën ku aktualisht banon shtetasja A. H., 58 vjeçe dhe e kanë nxjerrë atë me dhunë nga banesa, për të cilën 5 shtetasit pretendojnë se është në pronësi të tyre. Për pasojë, është dëmtuar në dorë shtetasja V. D. (motra e shtetases A. H.)

Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas janë aktualisht në proces gjyqësor, për pronësinë mbi banesën.

 

 

Materialet në ngarkim të 5 shtetasve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme./albeu.com