Sokol Sinomati, i njohur ndryshe si Buzëderri, babai i të riut Gëzim Sinomati, i cili u ekzekutua me snajper në janar të këtij viti në Vlorë, është një nga personat që përfitoi nga amnistia penale, duke u liruar nga burgu të mërkurën.
Pak orë pas lirimit, mësohet se blutë e Vlorës kanë shkuar në banesë dhe e kanë arrestuar përsëri.
Arrestimi është bërë për shkak se ndaj tij ka një vendim të drejtësisë italiane, që e ka dënuar me 12 vjet burg për trafik droge.
Burimet shprehen se urdhëri i drejtësisë italiane kishte pak kohë që ishte në dorë të policisë shqiptare, por nuk dihet pse nuk është ekzekutuar më përpara, ndërkohë Policia e Vlorës ka ndërhyrë pasi Sinomati është liruar.
Kush është Sokol Sinomati
Mbrëmjen e 7 janarit 2024, Sokol Sinomatit i ekzekutuan të birin me snajpet në ballkonin e shtëpisë, 23-vjeçarin, Gëzim Sinomati.
Sokol Sinomati, ka qenë pjesë e bandës së “Gaxhait” në vitin 1997 në Vlorë.
Ai ishte i dënuar për vrasjen e ndodhur në 3 janar të vitit 2000, ku gjatë një tentative për të ekzekutuar Sokol Nuho, ka qëlluar gabimisht Luigj Xhafën, kalimtar të rastit.
Në 2014 gjykata e Lartë atëherë me relator Edmond Islamaj vendosën që Armando Sulejmani (Cipuri) dhe Sokol Sinomati, të dy ushtarë të Gaxhait, të mos dënoheshin me burgime përjetë si pjesëmarrës në bandën e armatosur të Gaxhait, por të dënoheshin përfundimisht me akuzën e “Vjedhjes me dhunë” në bashkëpunim, duke u dënur përfundimisht me 16 vite burgim. Ky vendim solli lirimin e tyre nga qelia,edhe pse ishin të akuzuar dhe dënuar për një tjetër vrasje të kryer në Vlorë, në vitin 2002 në Skelë, ku i vdekur mbeti Elton Tato.
Pas lirimit, ai u largua nga Shqipëria në vitin 2017-n, drejt Belgjikës, ku sërish merrej me aktivitet të paligjshëm dhe u arrestua aty në vitin 2021, për çështje droge. Në fund të vitit 2022 ai u ekstradua në Tiranë, për ngjarjen e regjistruar në vitin 2002-in në Skelë, ku i vrarë mbeti Elton Tato dhe u plagos Robert Boraku./albeu.com