Shkresa e Irena Gjokës drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor është zbardhur. Në shkresë, Gjyqtarja e GJKKO tregon përplasjen me autoritetet greke, fundvitin e 2002-shit, kur po udhëtonte drejt shtetit fqinj me vizë të marrë pranë konsullatës greke në Shqipëri, por që policia kufitare i kishte ndaluar hyrjen. Sipas shkresës, Gjoka është paraqitur sërish në kufi në datën 13 shkurt 2003, por i është ndaluar hyrja.
Ndërsa lidhur me dënimin nga ana e drejtësisë greke, me burgim tre muaj, gjobë 1500 euro, si dhe me shpenzimet gjyqësore prej 73 Euro, teksa dënimi me burg është konvertuar me pagesë financiare 4.4 euro për çdo dite burg, vendimi i cili nuk u zbatua asnjëherë, Gjoka deklaron se nuk është njoftuar për zhvillimin e proceseve gjyqësore dhe nuk ka patur informacion. Në shkresën drejtuar KLGJ, Gjoka pretendon se dënimi nuk është regjistruar kurrë në regjistrin penal dhe për rrjedhojë, dënimi konsiderohet sikur të mos ketë ekzistuar kurrë.
Dëshmia e Irena Gjokës, drejtuar KLGJ-së:
Më datë 24 dhjetor 2002, unë Irena Gjoka jam paraqitur në pikën e kalimit kufitar Greqi, Kakavijë, ku policia kufitare më ka ndaluar hyrjen në shtetin grek (pas një debati që kam bërë me punonjësin e policisë së kufirit). Kam vlerësuar se autoritetet greke nuk kanë pasur asnjë arsye të ndalojnë hyrjen time në Greqi dhe për këtë arsye jam pajisur me një vize tjetër, pranë konsullatës greke në Shqipëri. Në vijim, më datë 13 shkurt 2003, jam paraqitur sërish në kufi, ku përsëri më është ndaluar hyrja, në mënyrë të padrejtë.
Meqenëse kam qenë e bindur në paligjshmërinë e masës administrative të ndërmarrë ndaj meje, refuzimin e hyrjes në shtetin grek, në kushtet kur nuk kisha të drejtë hyrje në këtë shtet, në datën 31.03.2003, kam autorizuar shtetasin Andon Konomi/Ikonomou (ky shtetas nuk ka pasur cilësinë e avokatit) për të kundërshtuar për llogari timen, masën administrative të marrë në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare nga autoritetet greke, pranë Ministrisë së Rendit Publik Athinë apo çdo institucioni tjetër, për të kryer çdo lloj veprimi që nuk është i ndaluar me ligj, lidhur specifikisht me masën e ndalimit të hyrjes të dhënë ndaj meje.
Pavarësisht këtij fakti, personalisht nuk jam njoftuar, as zyrtarisht dhe as faktikisht për procesin gjyqësor administrativ apo ndonjë proces tjetër të zhvilluar ndaj meje, në gjykatat Greke. Pasi në media janë publikuar vendime administrative apo të natyrave të tjera në emrin tim, duke mos qenë në dijeni të asnjë vendimi, kam autorizuar përfaqësues me prokurë të posaçme për të marrë informacion, për çka publikohej.
Nga aktet që më janë dorëzuar nga përfaqësuesi im si dhe aktet e përcjella nga autoritetet greke me anë të letërporosisë, nëpërmjet Prokurorisë së Përgjithshme, jam informuar për herë të parë për vendimin e marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë Janinë me nr.1447/2005, datë 07.06.2005, sipas së cilit rezultoj e dënuar në mungesë nga kjo gjykatë në datë 07.06.2005, pa praninë e një mbrojtësi, pa u njoftuar për procesin ndaj meje, si gjatë hetimit dhe gjykimit të çështjes, për veprën e parashikuar në paragrafin 7 të nenit 54 të ligjit 2910/2001 me titull “Hyrja dhe qëndrimi i të huajve në Territorin Grek”, me tre muaj burgim dhe 1500 Euro Gjobë. Dënimi me burgim është konvertuar me gjobë në masën 4,4 Euro në ditë.
Vendimi i datës 07.06.2005, i Gjykatës së shkallës së parë me tre anëtare për kundravajtje të Janinës nuk më është njoftuar asnjëherë dhe ky vendim nuk ka marrë formë të prerë. Sipas nenit 473 të Kodit të Procedurës Penale Greke afati për paraqitjen e apelit për të pandehurit me vendbanim të panjohur është 30 ditë nga dita e njoftimit të vendimit (vendimi i cili nuk është njoftuar asnjëherë). Përpara se të përfundonte afati i apelimit, më datë 17.06.2005 është miratuar ligji nr.3346/2005 “Përshpejtimi i procedurës para gjykatave civile dhe penale dhe dispozita të tjera”. Sipas edhe interpretimit të kryer nga GJEDNJ , në çështjen Panou kundër Greqisë (nr. 44058/05, 8 janar 2009), vendimi i dënimit i arkivuar sipas këtij ligji konsiderohet i paqenë, me kusht që, për një periudhë 18-mujore nga publikimi i ligjit (17 qershor 2005), të mos kryhet një vepër tjetër vepër penale me dashje, për të cilën do të dënohej përfundimisht me burgim më të gjatë se gjashtë muaj. Sipas edhe interpretimit të GJEDNJ-së edhe pse humbiste e drejta për të ushtruar apelim, efektet e ligjit ishin baras me shfajësim. Ky ishte edhe qëllimi i ligjit, i cili synonte përshpejtimin e drejtësisë penale, ndër të tjera, përmes uljes së numrit të apelimeve për çështje të vogla. Kështu në zbatim të këtij ligji, prokurori ka vendosur arkivimin e vendimit të marrë ndaj meje më datë 07.06.2005.
Çfarë shkruhej në mediat greke?
Vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Athinë, trupa e 23-të, tre anëtarëshe, në seancën e datës 27 tetor 2004, gjykoi kërkesën e Irena Manekut, kërkesë për revokim mase të non gratës, kundër shtetit grek, për arsye se iu ndalua hyrja në Kakavijë.
Kjo gjyqtare quhet Irena Shpata si mbiemër i vajzërisë, por që nga viti 2011 përdor mbiemrin e bashkëshortit të saj të dytë, Gjoka. Ndërsa në atë kohë përdorte mbiemrin e bashkëshortit të saj të parë Maneku. Me bashkëshortin e saj të parë kishte tentuar të futej në Greqi me datë 24 dhjetor 2002, nëpërmjet pikës kufitare Kakavijë, duke përdorur një vizë të falsifikuar konsullore, përsa i përket afatit dhe duke u përpjekur të paraqitej si vorio epiriote. Pas këtij falsifikimi rmri i ssj u fut në listën e personave të padëshëruar të sistemit Shengen. Iu ndalua hyrja për 10 vite për arsye sigurie publike. Dhe të dhënat e saj së bsshku me shenjat e gishtave u depozituan në bazën përkatëse të të dhënave.
Pak muaj më vonë me 13 shkurt 2003, Irena Maneku u përpoq të futej sërish në Greqi nëpërmjet Kakavijës. Iu ndalua hyrja për arsye të sigurisë publike ngaqë figuronte në listën e të padëshiruarve të zonës Shengen dhe iu dha asaj shkresa përkatëse.
Menjëherë pas kësaj ajo iu drejtua Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Athinë, kundër vendimit të dëbimit. Me vendim të cilin ne e botojmë, kërkesa e saj iu dërgua, Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Janinë, e cila rrëzoi kërkesën e Manekut.
Në vitin 2019 Irena Maneku duke përdorur mbiemrin e bashkëshortit të saj të dytë, bëri kërkesë me emrin Irena Gjoka, për t’u bërë anëtare e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Për këtë gjykatë ka kritere ndaluese për këdo ndaj të cilit ka pezull një proces gjyqësor, ka një dëbim, ndalim hyrjeje në një vend të tretë si dhe regjistrim të emrit në bazën e të dhënave Shengen për probleme ligjore.
