Një 42-vjeçar, është arrestuar në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë, pasi nuk iu bind urdhrit të policisë për kontroll të imtësishëm dhe tentoi të largohej me automjet, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur më 2 shkurt 2026, rreth orës 17:20, në dalje të Republikës së Shqipërisë. Shtetasi G. K., banues në Republikën e Maqedonisë së Veriut, u paraqit me automjetin e tij për të dalë nga vendi, ndërsa gjatë procesit të regjistrimit iu kërkua të kalonte, së bashku me mjetin, në vijën e dytë për kontroll të detajuar.
42-vjeçari ka kundërshtuar urdhrin e punonjësve të Policisë dhe ka tentuar të largohej me shpejtësi, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Pas ndërhyrjes së shërbimeve policore, ai u ndalua dhe u arrestua në flagrancë.
Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit”. Gjithashtu, u sekuestrua automjeti me të cilin lëvizte.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
