Nuk ndalet “Tempulli”, 2 të arrestuar në Tiranë, shkon në 99 numri i personave të ndaluar

Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy persona në kuadër të operacionit në vazhdim të koduar “Tempulli”.

Ka shkuar në 99 numri i personave të ndaluar në kuadër të këtij operacioni.

Blutë bëjnë me dije se në pranga kanë rënë shtetasit e shpallur në kërkim J. H., 27 vjeç dhe K. L., 54 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Këta shtetas ishin shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.

Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 10 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 3.7 kg kokainë, 150 doza heroine, 1 armë zjarri pistoletë, 12 automjete, 78 celularë, 12 peshore elektronike, 3 motomjete, 30 000 euro, 6000 paund, 4 500 000 lekë dhe 12 targa automjetesh.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./Albeu.com


Shtuar 20.10.2023 10:31