Një 57-vjeçare me profesion edukatore, është vënë nën hetim nga policia e Elbasanit pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një 5-vjeçar që vuan nga Autizmi.
Ngjarja ka ndodhur në një kopsht publik.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen O. B., 57 vjeçe, banuese në Elbasan, me profesion edukatore në një kopësht publik, pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një 5-vjeçar që vuan nga Autizmi. Shërbimet e Policisë po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale dhe hetimore për të zbardhur rrethanat e rastit”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Rasti vjen pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në kopshtin “Stinët” në Tiranë më 1 nëntor.
Edukatorja Majlinda Dehima akuzohet se ka dhunuar një 3-vjeçare, e cila përfundoi në spital me këmbë të thyer.
Hetimet për ngjarjen vazhdojnë, ndërsa edukatorja, e cila mohon ta ketë dhunuar, është arrestuar.
Sakaq, policia thotë se po zhvillon kontrolle në të gjitha kopshtet e vendit dhe ditën e sotme u raportua se në disa qarqe u konstatuan 81 subjekte kundra ligjit.