Përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, Presidenti amerikan Donald Trump, ka përgëzuar katër astronautët e misionit Artemis II, për rikthimin e suksesshëm në Tokë, pas udhëtimit historik rreth Hënës.
Trump vlerësoi misionin, duke e cilësuar atë si “spektakolar” dhe duke shprehur krenarinë e tij për arritjen e ekuipazhit.
Të lidhura
None found
“Urime për ekuipazhin e madh dhe shumë të talentuar të Artemis II. I gjithë udhëtimi ishte spektakolar, ulja në det ishte perfekte dhe, si president i SHBA-së, nuk mund të isha më krenar!”, shkroi ai.
Më tej, Trump vendosi edhe një objektiv të ri ambicioz për programin hapësinor amerikan, duke theksuar se hapi i ardhshëm do të jetë eksplorimi i Marsit.
“Do ta bëjmë sërish dhe më pas, hapi tjetër do të jetë që astronautët amerikanë të udhëtojnë drejt Marsit!”, u shpreh ai.

Kujtojmë se misioni i shumëpritur Artemis II ka përfunduar me sukses dhe kapsula hapësinore Orion u ul në Oqeanin Paqësor, pranë brigjeve të Kalifornisë, duke mbyllur kështu udhëtimin historik të astronautëve drejt Hënës dhe rreth saj.
Ekuipazhi i përbërë nga Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe astronauti kanadez Jeremy Hansen realizoi me sukses një nga hapat më të rëndësishëm drejt rikthimit të njeriut në Hënë, një objektiv që synohet të arrihet rreth vitit 2030.
