“Nuk kemi frikë as shtetin” deklarata e Ismet Çekorjas që “acaruan” ekzekutuesit e tij

Por ajo që do ti ndizte edhe njëherë, edhe më shumë gjakrat, thuhet se u bënë deklaratat e Ismet Çekorjas, babait të Bajram Çekorjas, i cili, në një dalje publike për mediat, më datë 29 gusht, vetëm katër ditë para se të vritej, jo vetëm i doli në krah të birit pas atentatit ndaj Alban Bruçit, por u shpreh se shteti dhe bandat i ishin qepur nga pas familjes së tij.

Emisioni “Në Shënjestër”, solli momentet nga deklarata e Ismet Çekorjas deri tek vrasja e tij.

Madje, ai foli edhe me emra konkretë, duke akuzuar edhe policinë, që sipas tij ishte e lidhur me bandat. Sa herë kishte vrasje apo atentate në Shkodër, sipas Ismet Çekorjas, i pari që merrej në pyetje ishte ai dhe djali i tij, Bajram Çekorja.

“Familjes time i është qepur shteti dhe bandat në shpinë. Nuk ma lejnë djalin rehat. Ka ndodhur ngjarja para katër vitesh kur vranë Arjan Ferracakun, më thirrën mua. Arjan Ferracaku është nipi im. Më kanë thirrur mua me gjithë djalin. Më kanë rreshtu bashkë me ata kriminelët. U vra Fatos Ferracaku më thirrën prapë bashkë me djalin, U vranë Bilalt që i kam komshi, prej 100 vitesh, më thirrën prapë mua. U vranë Bajrat, që e kena pas të trashguar shoqërinë, më thirrën mua. Çdo ngjarje që ndodh në Shkodër më rrethohet shtëpia. Tani në fund u gjuajt me armë djalin e Lad Bruçit, sikur djali im është autor i krimit bashkë me personin tjetër. Unë Lad Brucin e kam mik. Që nesër me martuar djalin, Lad Brucin e kam në qoshe të vendit bashkë me shoqërinë time. Se njihem që fëmijë me të. E kam mik zemre”, deklaroi atëherë Ismet Çekorja.

Por Ismet Çekorja, nuk u mjaftua në deklaratën e tij vetëm me emra të përveçëm.

Ai e ashpërsoi edhe më shumë gjuhën ndaj atyre që ai i quante armiqtë e familjes së tij, duke i etiketuar si banditë të rëndomtë, deri hajdutë kasollesh.

“Unë që kur kam lindur jam i pastër, Djali im është aty, është i monitoruar e kam të incizuar në tre kopje, një për shtetin, një për familjen dhe një e kam për vete. Unë kam dalë për të thënë që nuk i kam kujt borxh. Janë bërë një grup bandash me bandita bashkë me lidhur me bandita të lidhur me pushtetin që djalin tim e kanë frikë dhe duan me se sbën me e fut brenda. Ne nuk kemi frikë as shtetin, as ata hajdutë kasollash, lopësh, binxilest dhe më kanë beit në rrugë. Dhe unë nuk i kam frikë fare a janë gjallë apo vdekur. Dhe ta dinë mirë që nuk i kam frikë hiç”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë që bënte këto deklarata publike, Ismet Çekorja duke iu përmbajtur fjalëve të tij, se nuk kishte frikë askënd, vazhdoi të bënte jetën e tij i lirë. Pa u ngujuar, pavarësisht se i biri ishte një nga personat në kërkim për atentatin ndaj Alban Bruçit.

Liri dhe deklarata, që duket se nuk u përtypën mirë nga njerëzit që jo vetëm ishin cënuar nga plumbat e djalit të tij, por që tashmë po cënoheshin rëndë edhe nga fjalët pa teklif që po lëshonte vetë Ismet Çekorja, babai i autorit të dyshuar të atentatit të 25 gushtit, ndaj Alban Bruçit.

Kjo duket se ndezi edhe më shumë gjakrat, dhe solli vendimin për eleminimin e tij, ekzekutim që siç thamë u krye vetëm pak metra larg derës së shtëpisë së tij, katër ditë pasi Ismet Çekorja kishte lëshuar deklaratat e forta.

Por cili nga emrat e shumtë që përmendi, e vrau Ismet Çekorjan?

A kishte lidhje vrasja e tij me atentatin e dështuar ndaj Alban Bruçit?

Apo dikush tjetër shfrytëzoi këtë situatë të nderë midis dy familjeve, për të larë hesapet me familjen Çekorja?

Sipas policisë, autor i dyshuar i vrasjes së Ismet Çekorjas, është Astmer Bilali, i cili sot është shpallur në kërkim për këtë ekzekutim.

Bilali, dikur një ish-kampion boksi, mban në repertorin e tij disa precedentë penal, i arrestuar disa herë për përfshirje në ngjarje të ndryshme të rënda, siç ishte plagosja në vitin 2017 e Hermes Beqirit, në një nga lokalet e qytetit të Shkodrës.

Atëherë Bilali, u arrestua vetëm disa kohë më pas në fshatin Grudë, aty ku ishte larguar me motorin e tij me qëllim për t’iu fshehur policisë.

Ngjarja që do ta rikthente edhe njëherë në vëmendje, do të ishte ekzekutimi i biznesmenit, Arjan Ferracakut, mikut të tij të ngushtë me të cilin ndanin edhe pasionin për kalërimin, ngjarje e ndodhur më 1 shtator 2018.

Ferracaku, që kishte dalë të kalëronte në breg të Liqenit të Shkodrës, në fshatin Dobraç, të Shkodrës. Po, ku mendohet, se objektivi i vërtetë i atentatit, nuk ishte ai, por miku i tij Astmer Bilali, me të cilin ndanin pasionin e kalërimit.

Dyshimet janë se autorët për shkak të ngjashmërisë fizike midis Bilalit dhe Ferracakut dhe kuajve pothuaj të njëjtë, ngatërruan objektivin duke ekzekutuar këtë të fundit.

Krim që nuk do të ndalej këtu.

Vetëm dy muaj më pas, më 14 nëntor 2018, një tjetër vrasje, do të trondiste familjen Ferracaku.

Këtë herë viktima do të ishte Fatos Ferracaku, tregtar peshku, i cili u qëllua me plumb në kokë në mes të ditës në lagjen ‘Rus’, ngjarje ku mbeti i plagosur rëndë edhe shtetasi Fatmir Mehja.

Ekzekutimi sipas policisë u krye nga dy persona me maska që lëviznin hipur mbi një motor.

Astmer Bilali, u arrestua më 6 shtator 2018 në kuadër të operacionit OAZ, aksion policor i shtrirë në Tiranë, Shkodër, dhe Roterdam të Hollandës, i ndërrmarrë në kuadër të operacionit ‘Forca e Ligjit’ që kishte për synim goditjen ndaj grupit të Bajrave në Shkodër.

Një prej grupeve më të fuqishme kriminale në Shkodër, por me shtrirje edhe në Belgjikë, Hollandë dhe Spanjë.

Në pranga ra edhe vetë Safet Bajri apo ndryshe ‘Lordi’ Safet Bajri. Por ndërkohë që Astmer Bilali ishte në pritje të gjykimit, një atentat i rëndë do të trondiste fort këtë radhë familjen e tij.

Më 30 mars 2019, një atentat mafioz, në derën e shtëpisë së tyre, i mori jetën Astrit dhe Brahim Bilalit, respektivisht, babai dhe xhaxhai i Astmer Bilalit. Të dy personazhe me reputacion në Shkodër, pasi ishin të njohur si kampionë në hipizëm, por që më parë, në vitin 2016 kishin qenë të ndaluar nga policia, për armëmbajtje pa leje, pasi gjatë një kontrolli atë kohë, në banesën e Astrit Bilalit dhe tokën e Brahim Bilalit, policia gjeti dhe sekuestroi armë të shumta zjarri si edhe lëndë shpërthyese.

Vëllezërit nuk u çuan kurrë për gjykim, pasi municionet luftarake, i mori në ngarkim Astmer Bilali, icili u dënua më pas, me 6 muaj burgim, për armëmbajtje pa leje.

Vrasja e babait dhe xhaxhait të tij, duket se e tronditi fort Astmer Bilalin, i cili nga qelia ku ndodhej, postoi dedikime të shumta për të afërmit e tij të ekzekutuar. Kjo duket se mund të ketë qenë edhe një mesazh për botën jashtë hekurave, që tani duhet të ruheshin nga hakmarrja e tij.

Vrasje që sipas policisë kishin lidhje me luftën tashmë të hapur midis dy bandave në qytet, atë midis ‘Bajrave’ në njërën anë dhe ‘Lici’ në krahun tjetër.

Luftë që ndërkohë, kishte prodhuar viktima të shumta.

Po sipas policisë, ashtu si në skenarët e tjerë të ngjashëm, edhe këtë herë, makina e vrasësve të vëllezërve Bilali, ishte gjetur, pranë banesës së grupit rival, aty ku më herët ishte braktisur edhe motori që u përdor në vrasjen e Fatos Ferracakut.

Vrasja thuhet se kishin filluar me atentatin me eksploziv me 13 janar 2018, në lagjen ‘Rus’ të Shkodrës, ku u plagosën 7 persona, midis tyre edhe Lulzim Kulla, objektivi i atentatit.

Atentat i cili thuhet se pasoi me ekzekutimin e ish-oficerit të policisë, Boran Bërçama dhe bashkëjetueses së tij, Silvana Ndoci, të cilët u gjetën të ekzekutuar në makinën e tyre, mëngjesin e 15 korrikut 2018.

Vrasje e cila edhe sot është ende e pazbardhur.

Atentate me eksploziv, apo vrasje, ku nuk do të mungonin edhe zhdukjet e personave të ndryshëm, siç ishte edhe ajo e Gëzim Hysjas dhe Agron Mollaj, dajë dhe nip, të cilët rezultojnë të zhdukur pa gjurmë, që nga mesi i gushtit të vitit 2018.

Zhdukje e cila do të paraprihej nga ekzekutimi më 10 gusht 2018, i Fatbardh Licit, kunati i Lulzim Kullës, objektivit të atentatit të dështuar me eksploziv, të ndodhur vetëm disa muaj më parë në Shkodër.

Lici u vra teksa ishte duke pirë kafenë e mëngjesit, në lagjen Kiras, në Shkodër.

Vrasje të cilat, çuan ndër të tjera, edhe në arrestimin e grupit të Bajrave, midis tyre edhe të Astmer Bilalit.

Pavarësisht një pushimi, vrasjet u rikthyen edhe më të fuqishme gushtin e këtij viti, duke hapur edhe njëherë plagët, ende të pambyllura në Shkodër.

Por duke u kthyer edhe njëherë te vrasja e Ismet Çekorjas dhe atentati i dështuar i djalit të tij Bajram Çekorja ndaj Alban Bruçit, pyetja që shtrohet është: Përse policia është në kërkim të Astmer Bilalit, për ekzekutimin e Ismet Çekorjas?!!

Përse Astmer Bilali, ishte i interesuar të godiste familjen Çekorja?

Pse Astmer Bilali, konsiderohet për momentin një nga emrat më të njohur të botës së krimit?

Cila është lidhja e tij me Alban Bruçin, objektivin e dështuar të atentatit të 25 gushtit në Shkodër?

Ndërkohë që për vrasjen e Ismet Çekorjas, policia ka shpallur në kërkim edhe vëllezërit Shkëlzen dhe Sehar Xhenje, të cilët janë kushërinj të parë, me Erjon Xhenjen, të riun që do të ishte viktima e radhës e kësaj triologjie krimi.

Vrasje që u krye vetëm disa javë, pas ekzekutimit të Ismet Çekorjas.

Dyshimet e para, ishin se Erjon Xhenje, mund të kishte shërbyer si vëzhgues për të ndjekur lëvizjet e Ismet Çekorjas, më qëllim sinjalizimin e vrasësve.

Pistë e cila në fakt ra poshtë po nga policia, pasi këto dyshime nuk u provuan kurrë.


Shtuar 9.11.2022 21:27