“Nuk kam dhënë asnjë urdhër”/ Lulzim Basha në SPAK për 21 Janarin, gazetarja zbulon dëshminë e fortë të ish-kreut të PD

Këtë të enjte Lulzim Basha kaloi i vetëm pragun e Prokurorisë së Posaçme, më shumë se një vit pas regjistrimit të hetimeve për tragjedinë e 21 janarit.

Basha u pyet në cilësinë e deklaruesit, ndërsa është në listën e të kallëzuarve nga familja e Aleks Nikës.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha zbuloi në “Top Story” se çfarë ka deklaruar ish-kreu i PD para prokurorëve të posaçëm.

“Lulëzim Basha ka pohuar se nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe se ka zbatuar detyrën. Jo zyrtarisht më është thënë kjo deklaratë e Bashës, do më duhet ta konfirmoj sërish. Ajo që më është thënë “së shpejti, pa konfirmuar datën dhe ditën, mund të thirret si deklarues edhe ish-kryeministri Sali Berisha”-tha gazetarja.

Hoxha shtoi se i pranishëm ishte edhe ish-sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë, që është pyetur për kamerat e sigurisë, i cili ka thënë se ka zbatuar detyrën si gjithë zyrtarët e tjerë.


Shtuar 30.10.2025 21:32

Tags: ,