Nuk justifikoi pasurinë, shkarkohet nga detyra prokurori Ervin Karanxha

Komisioni i pavarur i kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Tiranes Ervin Karanxha, i cili kishte deklaruar përmes avokatëve se kishte përfunduar në spital, si pasojë e presionit nga Vetingu.

Ai kishte akuzuar disa media dhe anëtaren e KPK-së Valbona Sanxhaktari, se kishin bërë presion që ai të shkarkohej nga detyra. Shkak për shkarkimin e Karanxhës është bërë mungesa e burimeve financiare për pasurinë e tij.

Mungesat financiare

Komisioni konstatoi se prokurori Ervin Karanxha dhe bashkëshortja e tij tashmë e shkarkuar nga KPK, Bernina Kondi nuk kanë pasur mundësi financiare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 90.12 m2 në Tiranë, të porositur në vitin 2011 kundrejt çmimit 8.2 milionë lekë.

Relatorja Pamela Qirko tha se në deklaratën ‘veting’, prokurori Karanxha ka pasqyruar si burim krijimi të kësaj pasurie, një kredi në shumën 5 milionë lekë me afat 25 vjet dhe kursime familjare. Ndërsa në vitin 2011 ka deklaruar të ardhurat nga revokimi i një kontrate sipërmarrje dhe kursimet.

Sipas KPK, bashkëshortja e subjektit ka porositur një apartament në Berat për vlerën 6 milionë lekë kur ajo punonte si gjyqtare në atë qytet dhe ka përfituar kredi të butë për mundësimin e strehimit në shumën 5 milionë lekë.

“Megjithëse bashkëshortja e subjektit të rivlerësimit ka vazhduar të punojë në qytetin e Beratit, e ka revokuar kontratën e sipërmarrjes dhe vlerën e marrë e ka përdorur për blerjen e apartamentit në Tiranë. Ka ndryshuar destinacioni i përdorimit të kredisë së përfituar me kushte lehtësuese, në kundërshtim me legjislacionin,” tha Qirko.

Komisioni ka verifikuar edhe mundësinë e prokurorit Karanxha dhe bashkëshortes së tij tij për krijimin e kursimeve që kanë shërbyer për një pjesë të çmimit të apartamentit të blerë në 2011-ën.

Relatorja shtoi se nga hetimi ka rezultuar se subjekti nuk ka pasur mundësi për krijimin e likujditeteve gjatë periudhës 2003-2008, kur ai ka çelur disa depozita; konkretisht në shumat 10 mijë USD në vitin 2006 dhe 3000 USD të tjera në gjendje cash si dhe një depozitë 10 mijë USD në 2008-ën, nga e cila ka tërhequr po atë vit 8000 USD.

Qirko tha se subjekti nuk i ka deklaruar çeljet e depozitave, por në shpjegimet për KPK, ai ka sqaruar se ka deklaruar të gjitha gjendjet cash që ka disponuar dhe më pas i ka depozituar në bankë, duke mos pasur asnjë qëllim për fshehje.

Në seancë u tha se Karanxha ka deklaruar se ka disponzuar veçmas një shumë 2.5 milionë lekë në vitin 2009, e cila ishte shtuar me nga 500 mijë lekë secili në vitin 2010. Qirko tha në seancë se Karanxha dhe bashkëshortja e tij nuk kanë deklaruar pakësime, ndaj në vitin 2010 kanë disponuar 3.5 milionë lekë.

Qirko solli në vëmendje edhe një deklaratë të Karanxhës në ILDKPKI në vitin 2012, ku ai pohonte se dispononte në gjendje cash në shtëpi shumën 20 mijë USD nga mbyllja e depozitave.

Relatorja Qirko tha se duket se subjekti i rivlerësimit dhe bashkëshortja e tij nuk kanë pasur mundësi për pagesën e këstit të tretë në vitin 2011.

Si problem për pasurinë u relatua edhe një hua në shumën 1.2 milion lekë që bashkëshortja e Karanxhës ka deklaruar se e ka marrë në vitin 2010 nga vajza e tezes së saj, me qëllim likujdimin e një kredie të 2005-ës. Edhe pse kredia është marrë nga bashkëshortja e subjektit para se ata të lidhnin martesë në vitin 2009, Komisioni ka hetuar mbi mundësinë e huadhënëses për krijimin e kësaj vlere me burime të ligjshme.

Qirko tha se Karanxha dhe bashkëshortja e tij kanë ndryshuar deklarimet lidhur me burimet e kësaj huaje, pasi fillimisht është pretenduar se vlera 1.2 milionë lekë përfaqësonte kursimet e familjes së vajzës së tezes, ndërsa gjatë hetimit administrativ është dorëzuar deklaratë noteriale e huadhënses, ku ajo sqaron se ka marrë vetë hua një shumë 10 mijë euro për të hapur një aktivitet privat, por që nuk ka realizuar dot.

Qirko tha në seancë se nga verifikimi i sistemit TIMS ka rezultuar se personi për të cilin pretendohet se i ka dhënë hua kushërirës së bashkëshortes, nuk ka qenë në Shqipëri në momentin që pretendohet transaksioni në fjalë.

“Nuk u provua mundësia e vajzës së tezes së bashkëshortes për dhënien e huasë dhe për pasojë rezultojnë se nuk kanë pasur mundësi për shlyerjen e kredisë,” pohoi Qirko.

Lidhur me pasuritë e trashëguara nga bashkëshortja e Karanxhës si dhe të një apartamenti të blerë prej saj para lidhjes së martesës, Qirko tha se subjekti i rivlerësimit nuk ka kontribut dhe se hetimi për këtë pasuri është kryer gjatë rivlerësimit të gjyqtares Kondi.

Nga analiza financiare paraprake për periudhën 2003-2016, KPK gjeti pamundësi financiare në vlerën e 3.4 milionë lekëve.

Figura dhe profesionalizmi

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK dhe Komisioni nuk kanë gjetur probleme për kriterin e pastërtisë së figurës. Gjithashtu, Karanxha mori vlerësim pozitiv edhe për profesionalizmin.

Ndaj tij janë depozituar gjithsej 26 denoncime nga publiku, ku për dy çështje, Komisioni evidentoi se subjekti ka qenë në kushtet e heqjes dorë, pasi duket sikur ka shkaqe për anësi në hetim. Gjithashtu, Qirko tha se janë vërejtur raste kur në çështjet e pushuara ose për ato që është vendosur mosfillim, duket se nuk janë kryer të gjitha veprimet hetimore.

Për një çështje të verifikuar nga denoncimet e publikut, Qirko ngriti dyshime për favorizimin e të pandehurve, pasi prokurori nuk ka kryer ankim.

Ajo relatoi edhe çështje të tjera midis të cilave evidentoi një rast të hetimeve të kufizuara. Qirko vijoi se Karanxha kishte kërkuar dënim nën minimumin e parashikuar në ligj, duke argumentuar se të pandehurit kishin shfaqur pendim të thellë, por pa e dokumentuar. Gjithashtu, ai kishte sjellë si arsye edhe moshën e vogël të të pandehurve, por nga verifikimi kishte rezultuar se ai me moshë më të vogël ishte 27 vjeç, ndërsa të tjerët ishin nga 33 deri 47 vjeç.

Shtuar 7.07.2021 10:04