“Nuk e shoh si humbje atë që kam zgjedhur vetë”, nga hapat e parë në politikë tek “pengjet”, rrëfehet Rama: Bilanci i jetës nuk matet me pushtet, por me atë që u jep të tjerëve

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot disa reflektime personale mbi rrugëtimin e tij politik, sakrificat e bëra ndër vite dhe kufizimet që sjell roli i të qenit në krye të qeverisë, por edhe të angazhimit në politikë në përgjithësi. Në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu në emisionin Opinion, Rama u shpreh se sot ndihet i qetë me zgjedhjet që ka bërë, duke vlerësuar se shumë gjëra nga jeta personale i ka lënë pas me vetëdije, ndërsa ajo që ka marrë në këmbim lidhet me mundësinë për të ndikuar dhe për të bërë diçka për të tjerët.

Sipas Ramës, kjo balancë mes asaj që ke dhënë dhe asaj që ke humbur është thelbësore për të kuptuar vlerën e jetës.

Kryeministri u ndal edhe te kujtimet nga fëmijëria, duke e përshkruar veten si një fëmijë të vështirë dhe më problematik krahasuar me vëllain e tij. Në ato momente përplasjesh me prindërit, tha se gjente mbështetje te gjyshja, këshillat e së cilës kanë mbetur për të pika orientimi edhe sot.

Një nga mësimet më të forta që ajo i kishte dhënë lidhej me përgjegjësinë personale dhe përballjen me vetveten në fund të jetës. Rama theksoi se këto reflektime i rikthehen shpesh, veçanërisht në periudha presioni, kritike apo sulmesh politike. Ato, sipas tij, shërbejnë si një mekanizëm për të ruajtur ekuilibrin dhe për të rikujtuar arsyen pse ka zgjedhur këtë rrugë.

Në përfundim, ai nënvizoi se, pavarësisht interpretimit fetar që i jepte gjyshja e tij këtyre ideve, thelbi mbetet i njëjtë: njeriu në fund përballet me veten dhe vlera e jetës matet me kujtimin dhe ndikimin që lë pas tek të tjerët.

“Nuk e perceptoj si humbje atë që kam zgjedhur lirisht. Për sa kohë besoj se ajo që kam lënë nga vetja, ose ajo që kam dhënë nga vetja, është përkthyer në shumëçka që kam mundur të bëj për të tjerët.

Gjyshja ime më ka thënë disa gjëra që sot janë si pika referimi, dhe një nga gjërat që ka marrë kuptim me kalimin e kohës ka qenë ajo që thoshte: unë nuk kam qenë një fëmijë i lehtë. Prindërit ishin kërkues, por unë isha më problematik se vëllai. Pasi zhvillohej një konflikt mes meje dhe prindërve, siç u ndodh të gjithë fëmijëve, kërkoja strehë te gjyshja.

Ajo thoshte: “Mos u mërzit, prindërit bëjnë detyrën. Nga ana tjetër, ti do të bëhesh burrë dhe të gjithë bëjnë gabime; do të bësh gjëra për të cilat do të të vijë inat. Vetëm të lutem mos e harro: shumë njerëz do të takosh në jetë, por takimi më i rëndësishëm është ai i fundit.”

Takimi i fundit është me dikë që është një plak i vjetër, me flokë të bardha dhe me mjekër. Dhe kur të shkosh tek ai… Prindërit e kishin problem që shoqërohesha me më të mëdhenj se vetja. Ky njeri është më i rëndësishmi, sepse ai ka biletat për të shkuar në parajsë ose në ferr. Do të të pyesë se çfarë ke bërë, si e ke kaluar jetën. Asgjë nuk do të mjaftojë; do të pyesë se çfarë ke bërë për të tjerët.

Dhe kjo më vjen ndër mend në rastet kur jam i ngarkuar, ose kur vjen një moment që sasia e “baltës” bëhet e madhe. Pastaj kjo më shërben si një mënyrë për të kujtuar se çfarë kam bërë. Është një balancë.

E përkthyer ndryshe, sepse gjyshja e thoshte nga këndi i saj si katolike: ky ballafaqim është, në thelb, një ballafaqim me vetveten. Kishte edhe një shprehje tjetër: në fund të ditës, e vetmja gjë që ka rëndësi është kujtimi që lë. Kur vjen puna te kjo, aty është edhe bilanci” tha Rama.


Shtuar 18.12.2025 21:43

Tags: ,