“Nuk e dorëzoj mandatin”, Bozo: Qytetarët pas tërmetit kanë marrë vila që nuk i kishin ëndërruar

Deputetja e Partisë Socialiste, Luljeta Bozo është shprehur se qeveria ka bërë një punë shumë të mirë me rindërtimin pas tërmetit.

Në një intervistë për “Panorama” ajo thotë se  qytetarët që u prekën nga tërmeti kanë marrë vila që as nuk i kishin ëndërruar.

“Qeveria nuk i ka prekur fondet e rindërtimit, por është në vështirësi të madhe pasi duhet të bëjë kompensimin e energjisë për familjet në nevojë, pasi për shkak të krizës është rritur edhe çmimi i energjisë elektrike. Mbështetja është kryesisht për shtresën e pensionistëve, por nuk ka lënë pas dorë as sektorët e tjerë si bujqësia që është mjaft fitimprurëse. Sigurisht, ka vend për rregullime, por në këtë situatë të vështirë, qeveria ia ka dalë duke u dhënë qytetarëve vila që as nuk i kishin ëndërruar. Kështu që nuk ka ndryshim të planeve klienteliste. Nuk duhet folur pa fakte, por me fakte dhe faktet duhet të jenë unison me kushtet që kalojmë pasi nuk jemi ne kushtet normale”, deklaroi Bozo.

E pyetur nëse është penduar që la inxhinierinë për të marrë mandatin e deputetit, ajo thotë se nëse do ta kishte këtë ndjenjë do ishte dorëhequr tashmë.

“Po të isha penduar do të kisha dhënë dorëheqjen. Përderisa njerëzit më votuan, unë do të bëj maksimumin e mundshëm për ta në kuvend për ti ndihmuar në zgjidhjen e probleme që ata kanë. Jo nuk jam penduar, jam munduar që në atë fushë ku jam, ndërtimi, të jap maksimumin tim dhe të justifikoj vetëbesimin e madh që kishin 1/3 e popullsisë së madhe, pensionet që presin t’ia zgjidh Kuvendi t’iu përmirësohet gjendja e tyre ekonomike”, tha më tej deputetja socialiste.