“Nuk e dini se kush jam unë?!”, eksperti i kriminalistikës zbulon detaje të reja nga vrasja “misterioze” e biznesmenit italian në Tepelenë

Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka “hedhur dritë” mbi krimin misterioz të ndodhur 3 ditë më parë në Tepelenë, ku humbi jetën biznesmeni italian Edoardo Sarchi.

I ftuar në “Euronews Albania”, Karamuço ka ngritur të gjithë dinamikën e krimit të rëndë, i cili sipas tij, ka ndodhur pas një sherri banal mes viktimës dhe autorit.

Sipas Karamuços, dritat e gjata të makinës janë bërë “mollë sherri” mes grupit që shoqëronte biznesmenin italian dhe autorin e dyshuar të krimit Kamber Sulçaj (48-vjeç), tashmë i shpallur në kërkim nga policia.

“Filloi me shumë pista por policia me punë profesionale pista u reduktua dhe tani kemi një pistë solide për të gjetur autorin. Edhe pala greke është njoftuar që të përforcojë kufijtë që mund të arratiset autori. Iu tregoj dinamikën e krimit. Makina që përdoret për gjueti nga ana e viktimës, kanë pasur prozhektor për të shquar më mirë ku janë lepujt dhe në atë kohë ata janë përballur me autorin dhe ky ka ndezur dritat e gjata.

Madje edhe kur janë shkëmbyer me makinat me shpejtësi të ulët, janë sharë dy palët, “pse ke ndez dritat e gjata mua, e dini kush jam unë” dhe dyshohet që autori ka qenë nën efektin e alkoolit. Më pas autori ka bërë një kthim mbrapsht i ka parakaluar dy makina dhe i ka zënë rrugën, ka dalë nga makina. Ka pasur një pushkë me vjaska me dylbi, jo snajper por pushkë që përdoret për gjueti dhe më pas i ka sharë dhe ofenduar.

Madje ka përmend emrin e tij, duke i thënë “Nuk e dini kush jam unë, unë jam filani”. Më pas debati ka degjeneruar në përplasje fizike dhe më pas autori ka mbushur armën dhe ka filluar të qëllojë në mënyrë të shkujdesur dhe pa objektiv ku një plumb rikoshet ka kap shtetasin italian në aortën e këmbës, i cili rezultoi fatal. 10-15 minuta ka pas të shtëna me armë zjarri nga autori i cili ka qëlluar në mënyrë të pakontrolluar dhe gjithë pala tjetër janë shtrirë për tu mbrojtur dhe janë zvarritur nëpër kanale dhe shkurre për t’i shpëtuar plumbave, më pas autori është larguar”, tha fillimisht Karamuço.

Më tej, profesori bën me dije se miqtë e biznesmenit italian i kanë dhënë ndihmën e parë Edoardo Sarchit i cili u plagos në këmbë pas një plumbi rikoshet.

Madje Karamuço zbulon se miqtë e viktimës kanë telefonuar një ish-ministër të brendshëm që t’i vinte në ndihmë për t’i sjellë një helikopter por gjithçka ishte e pamundur pasi biznesmeni italian ndërroi jetë.

Karamuço gjithashtu përjashtoi mundësinë që krimi të jetë inskenuar nga miqtë që e shoqëronin italianin.

“Viktima nuk është lënë vetëm është dhënë ndihma e parë dhe është vendosur lecka në këmbë dhe një rrip mesi për të reduktuar hemoragjinë. Madje është telefonuar një familjar i një ish ministri të brendshëm me idenë që ti ndihmonte për ardhjen e një helikopteri por më pas e panë që ai humbi jetën. Autori nuk është një çoban por është pronar i disa staneve aty dhe është me banim në qytetin e Vlorës. Kamber Sulçaj me armë mbronte bizneset e tij dhe stanet në këtë zonë. Dyshohet se më parë ai është marrë me kultivimin dhe shitjen e narkotikëve, e gjithë ngjaja është një incident i madh momental. Përjashtoj të gjitha mundësitë që shokët e tij të kenë inskenuar krimin. E gjitha ka ndodhur pas sherrit banal”, tha Karamuço.