Disa orë pasi u deportua nga Izraeli, Greta Thunberg akuzoi vendin për rrëmbimin e saj dhe aktivistëve të tjerë në ujëra ndërkombëtare, duke shtuar se kishte refuzuar të nënshkruante një dokument që deklaronte se kishte hyrë ilegalisht në Izrael.
Duke folur me gazetarët në aeroportin Charles de Gaulle në Paris, aktivistja suedeze theksoi se ajo dhe të tjerët në një anije që po udhëtonte për në Gaza, e cila u ndalua nga Izraeli të hënën, thjesht po përpiqeshin të sillnin ndihmën e shumëpritur në territorin e shkatërruar nga lufta.
«Ne ishim 12 vullnetarë paqësorë që lundronin në një anije civile që transportonte ndihma humanitare në ujëra ndërkombëtare», tha Thunberg. «Ne nuk shkelëm ligje. Nuk bëmë asgjë të gabuar».
Anija Madleen me flamur britanik u sekuestrua nga autoritetet izraelite të hënën rreth 200 km larg brigjeve të Gazës, sipas Koalicionit të Flotiljes së Lirisë, i cili organizoi udhëtimin. Ajo u tërhoq në portin e Ashdodit, ku ekuipazhi, ku përfshihej edhe eurodeputetja franceze Rima Hassan, u mor në paraburgim nga policia. Disa mbeten në Izrael, ku do të përballen me seanca dëgjimore për deportim.
Anija po përpiqej të sillte një ngarkesë simbolike ndihmash në Gaza, e cila është shtyrë në prag të urisë pas më shumë se 11 javësh rrethimi total dhe kufizimeve të ashpra që vazhdojnë të kufizojnë hyrjen e ushqimit në territor.
Dhjetëra njerëz janë vrarë ndërsa përpiqeshin të mblidhnin ushqim nga pak vende të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës i mbështetur nga SHBA-të, të cilat ruhen nga roje të armatosura dhe nën mbrojtjen e ushtrisë izraelite. Ndërsa perspektiva e urisë është duke u afruar, janë ngritur pyetje mbi aftësinë e fondacionit për të ofruar ndihmë .
Thunberg, 22 vjeç, tha se kushtet me të cilat ishte përballur ekuipazhi ishin “absolutisht asgjë në krahasim me atë që po kalojnë njerëzit në Palestinë dhe veçanërisht në Gaza tani”, por tha se ishte “shumë e shqetësuar” për anëtarët e tjerë të ekuipazhit dhe bëri thirrje për lirimin e tyre të menjëhershëm.
«Isha shumë e qartë në dëshminë time se ne u rrëmbyem në ujëra ndërkombëtare dhe u sollëm kundër vullnetit tonë në Izrael », tha ajo. «Ky është një tjetër shkelje e qëllimshme e të drejtave që i shtohet listës së shkeljeve të panumërta që po kryen Izraeli».
Që kur Izraeli vendosi një bllokadë detare ndaj Gazës në vitin 2007, Koalicioni i Flotiljes së Lirisë ka bërë disa përpjekje për të transportuar ndihma në Gaza. Në maj, një nga anijet e tyre që udhëtonin për në Gaza u dëmtua në ujërat ndërkombëtare pranë Maltës, me anëtarët e ekuipazhit që lëshuan një SOS pas asaj që e përshkruan si një sulm nga dronë izraelitë. Ushtria izraelite nuk pranoi të komentojë.
Në vitin 2010, nëntë aktivistë u vranë kur komandot izraelite bastisën një flotë të vogël anijesh që përpiqeshin të transportonin furnizime, përfshirë materiale ndërtimi, në Gaza.
Thunberg tha se nuk kishte mundur t’i thoshte lamtumirë pjesës tjetër të ekuipazhit dhe se ishte “e paqartë” pse ishte deportuar ndërsa anëtarët e tjerë të ekuipazhit mbetën të ndaluar.