Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për marrjen në pyetje të katër personave nën hetim për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.
Seanca e sotme është zhvilluar me dyer të mbyllura, ku gjyqtarja Aurora Tusha, ka shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë për marrjen në pyetje të katër personave nën hetim për vepra penale që lidhen me shpërdorimin e funksioneve publike.
Mësohet se ish-nënkryetarja Adela Hysenaj dhe Vasil Çeku, ky i fundit drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, do të vijojnë të mbahen në “arrest shtëpie”.
Ndërkohë Anisa Cjapi, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier dhe Martin Dodi, sekretar i Përgjthshëm i Bashkisë Fier, janë pezulluar nga ushtrimi i detyrës publike dhe kanë masën “detyrim paraqitjeje”.
Gjykata ka revokuar masën “ndalim për të dalë jashtë shtetit” për Dodin, ndërkohë që Çekut i është hequr pezullimi nga detyra, por mbetet në “arrest shtëpie”.
Vendimi u shpall më 26 korrik 2025 dhe mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit brenda 5 ditësh.
Personat janë nën hetim për shkelje të detyrës në ushtrimin e funksioneve publike dhe ndërhyrje të paligjshme në vendimmarrje zyrtare.
V E N D I M I S H K U R T U A R
“NË EMËR TË REPUBLIKËS”
“Për verfikimin e kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit”
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier e përbërë nga: GJYQTARE – AURORA TUSHA
Asistuar nga sekretare gjyqësore Esmeralda Hyseni, sot në Fier, më datë 26.07.2025 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, kërkesën penale me Nr.1397 regj.Them që i përket:
KËRKUES: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfaqësuar nga prokurori z. Ervis Alliaj.
PERSON NËN HETIM: A. H. e mbrojtur nga av.Gëzim Hajderaj, i zgjedhur me deklarim në seancë gjyqësore.
E DYSHUAR: Për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 245/1 dhe 248 i Kodit Penal.
PERSON NËN HETIM: A.C, nga av. Mexhit Dyrmishi, caktuar kryesisht nga gjykata, zgjedhur me deklarim në seancë gjyqësore.
E DYSHUAR: Për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
PERSON NËN HETIM: M. D, i mbrojtur nga av.Rozeta Plaku, zgjedhur me deklarim në seancë gjyqësore.
I DYSHUAR: Për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.
PERSON NËN HETIM: V. Ç, mbrojtur nga av.Rozeta Plaku, zgjedhur me deklarim në seancë gjyqësore.
I DYSHUAR: Për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal
OBJEKTI: Kërkesë për marrjen në pyetje të personave nën hetim A. H A.C, M. D dhe V. Ç
BAZA LIGJORE:Neni 248 i Kodit të Procedurës Penale
Gjykata, bazuar në nenet 228, 229, 232, 237, 240 dhe 248 KPP, pasi dëgjoi palën kërkuese, personat nën hetim dhe mbrojtësit e zgjedhur prej tyre me deklarim në seancë gjyqësore;
V E N D O S I :
- Pranimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për marrje në pyetje të personave nën hetim A. H, A.C, M. D dhe V.Ç.
- Të vijojë zbatimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim H, , të caktuar me vendimin nr.62-2025-4349(1193), datë 23.07.2025 të kësaj gjykate, si e dyshuar për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 245/1 dhe 248 të Kodit Penal.
- Urdhërohet personi nën hetim H të mos largohet nga banesa e saj………….
- Të vijojë zbatimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 240, pika1, germa a) i Kodit të Procedurës Penale ndaj personit nën hetim C, të caktuar me vendimin nr. 62-2025-4349(1193), datë 23.07.2025 të kësaj gjykate, si e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
- Të revokojë masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personit nën hetim D. Vijimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 240, pika1, germa a) i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim M.D, të caktuar me vendimin nr. 62-2025-4349(1193), datë 23.07.2025 të kësaj gjykate, si i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.
- Vijimin e zbatimit të masës së sigurimit personal dhe karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” për personin nën hetim Ç, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale. Revokimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 240, pika1, germa a) të Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim V. Ç, të caktuar me vendimin nr. 62-2025-4349(1193), datë 23.07.2025 të kësaj gjykate, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
- Urdhërohet personi nën hetim Ç të mos largohet nga banesa e tij.
- Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier me ekzekutimin e këtij vendimi.
- Shpenzimet gjyqësore të lihen siç janë kryer.
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Juridiksionit te Përgjithshëm të Apelit Tiranë, brenda 5 (pesë) ditëve nga dita e njoftimit të këtij vendimi.
U shpall në Fier, sot më datë 26.07.2025!