Flamur Noka përplaset me deputetin socialist në komision: Kur digjej Delvina bëje poezi për partinë

Deputeti i PD Flamur Noka dhe ai i PS, Ardit Bido, janë përfshirë në një debat gjatë mbledhjes së komisionit për çështjet e Brendshme.

Noka e nisi fjalën e tij, duke hedhur akuza mbi mazhorancën në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2026 për agjencinë Kombëtare të Emergjencave Civile.

Për Bidon ai tha se; ‘teksa Delvina digjej, deputeti bëni poezi për qeverinë dhe postonte foto të zjarrfikësve duke shuar flakët me thupra’.

Pjesë nga debati:

Noka: Si shpjegohet që urat që ndërtohen në pushtetin tuaj, pa bërë dy vite, prapë duhen bërë se i merr lumi? Pse në 12 vite pushtet, një argjinaturë e PD nuk u ça dhe nuk u rrëzua? As edhe një urë nuk u rrëzua. Pse? Sepse kemi një qeveri që s’ka qytetarin në fokus. Shkoni në Gjermani dhe keni rrugët e Hitlerit; këtu, pa i bërë 3 vite, duhen ribërë.

Edhe tunelin e patë? Të del rruga e Qukësit, u inaugurua dhe ja ku iku. Deputeti i Delvinës i bën vjersha qeverisë, ndërkohë që Delvina u dogj, dhe filmonte disa zjarrfikës duke fikur zjarret me thupra. Nuk janë kushtet klimatike vetëm në Shqipëri; ja ku është Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Pse nuk ndodhin? Sepse kanë qeveri të përgjegjshme.

Bido: Prisja që kur ranë zjarret të ishit dhe ju atje. Edhe Flamuri ka lidhje në Sarandë. Si sarandjot prisja që të ishe atje. Nxora edhe Hasimenë nga oborri i shtëpisë, se iu dogj. Vini këtu për të bërë poezi partiake, për të treguar se cila është parti e mirë dhe cila është e keqe. Prisja që të bashkoheshit kërkesës sime për të rritur fondet në Bashkinë e Delvinës.


Shtuar 25.11.2025 12:30