Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka ka reaguar sërish për arrestimin e fëmijës dje nga policia, pas protestës madhështore të opozitës.
Noka shkruan se, fëmija u lutet policëve që të mos e rrahin dhe kjo është e frikshme.
Reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka:
Videoja e arrestimit të fëmijës 12-vjeçar, përpos të tjerash, na nxjerr në pah një dukuri të re që vjen nga edukimi i bindjes dhe frikës së brezit të ri, që ushtron shteti në sistemin arsimor. Po të dëgjosh me vëmendje fjalët e vogëlushit, ai thotë në ligjëratë të drejtë këtë fjali: Aman, ju hëngsha m*tin, veç mos më rrihni!
Pra një fëmijë 12 vjeç e ditka qartësisht se policia të rreh, të dhunon dhe që është fuqiplotë. Me pak fjalë ai e di që ata bëjnë gjithçka dhe për të shpëtuar nga të rrahurit, fëmija nuk i referohet ligjit, as të drejtave të fëmijëve dhe as normave të tjera të edukimit dhe komunikimit. Fëmija thjesht u përgjërohet policëve: Aman, ju hëngsha m*tin, mos më rrihni!
Një fëmijë 12-vjeçar duhet të jetë diku në klasë të pestë apo të gjashtë dhe siç dihet në këto klasa merren nocionet e qytetarisë, të të drejtave të njeriut dhe sidomos të fëmijëve. Fjalia ‘aman, ju hëngsha m*utin mos më rrihni’ është treguesi më i qartë se edukimi dhe arsimi është i orientuar ndaj bindjes dhe frikës. Ky është treguesi më i qartë se ku po shkon brezi i ri. Prindërit të reflektojnë sa nuk është vonë, sepse indiferentizmi i tyre po prodhon fëmijë të frikur dhe të bindur ndaj pushtetit.

